Komuna e Gjilanit që drejtohet nga Alban Hyseni ka hequr komplet dorë nga tenderi milionësh për ndërtimin e Stadiumit të qytetit. Ky tender, që siç raportoi në vazhdimësi Insajderi, po bëhej gati që t’i jepej biznesmenëve të afërt më Kryetarin Hyseni të VV-së, tashmë ka kaluar në kompetencë të Ministrisë së Kulturës. Insajderi sjell detajet e prapaskenat që dërguan deri tek anulimi.
“Komuna e Gjilanit për “ Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit ” Numri i aktivitetit te prokurimit GL 651-23-13546-5-1-1 Komuna e Gjilanit që më saktësisht, Autoriteti Kontraktues – Komuna e Gjilanit bazuar ne vendimin e OSHP-s nr.2024 0521 , merr vendim qe ta anuloj aktivitetin e prokurimit me titull “ Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit “ në përputhje me nenin 62 te Ligjit per Prokurim Publik -s , nenit 43.5 pika f) te Rregullores për Prokurim Publik dhe ne përgjigjen e OSHP-s te datës 29.08.2024 . Autoriteti Kontraktues -Komuna e Gjilanit ju njofton se këtë aktivitet me nuk do ta ri tenderoj por qe i njëjti është publikuar nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit “, thuhet në arsyetim, përcjell Insajderi.
Në njoftim janë bërë me dije edhe arsyet e anulimit të tenderit afro 15 milionësh.
“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo
arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit
kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të
prokurimit“, thuhet pos tjerash.
Por si kishte tentuar Alban Hyseni t’i shpërblente dostat?
Në muajin maj të këtij viti, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni mori vendim që ta shpërbleje me tender për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupin e operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë. 14 milionë e 997 euro.
Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohej se janë kryer një sërë shkeljesh.
Nisur nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura. Drejtues dhe sponsorë të klubit futbollistik Gjilani, si dhe persona të afër me zëvendësministrin e Kurtit.
“Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, ishin grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.
Gazeta Insajderi pati mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që kishte pranuar të nënshkruante për grupin e operatorëve më të shtrenjtë.
Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që pati ndikuar që përzgjedhja të shtyhet.
Nga burime të sigurta mësoi se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Insajderi kishte kontaktuar Bajramin por i njëjti kërkonte të presim përgjigje nga Zyra për Informimin në Komunën e Gjilanit.
Kush e fitojë tenderin?
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.
Pronarët e këtyre kompanive kishin ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani ishin përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.
Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues doli të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.
Gazeta Insajderi kërkonte përgjigje nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht kryetari Alban Hyseni mbi këtë çështje por të njëjtit nuk kthenin përgjigje.
Ofertat milionëshe për renovimin e stadiumit të Gjilanit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau 15 milionë euro për vazhdimin përkatësisht renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Çeku kishte deklaruar se kanë ndarë edhe 15 milionë euro për renovimin e stadiumit duke qenë se sipas tij me problemet e mëdha që kishte në këtë tender që nuk përfundoi asnjëherë, problemi do të vazhdonte deri në viti 2054.
Në muajin janar të këtij viti pritej të kryhej procedura e prokurimit tenderi për renovim por u pezullua. Ky vendim ishte marrë pas ankesës që kishte parashtruar operatori ekonomik “Bardhi Ndërtim Sh. P.K”, nën pronësi të biznesmenit, Bardhyl Zeka.
“Pezullohet aktiviteti i prokurimit me titull “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit” me nr të prokuriomit 651-23-13546-5-1-1 nxjerr: Për hapat tjerë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, me kohë do të jeni të informuar përmes platëformës së prokurimit elektronik. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe do të publikohet për të gjitha palët në platformën elektronike në adresën e zyrës së prokurimit”, thuhej në vendimin e Zyrës së Prokurimit.
Në garë përveç grupit që ishte përzgjedhur që ishte i afërt me Hysenin, ishte edhe dy ofertues më të lirë. Grupi i operatorëve ekonomikë: “Pro & Co”, “Group SH.P.K”, “Companya Eskavatori” dhe “Sh.p.k.; Palma”, të cilët kanë ofruar 14 milionë e 400 mijë euro për renovimin e stadiumit.
Si dhe grupi i operatorëve ekonomikë : “N.N.P”, “EURO CONSTRUCTION”, “Beni Construction SH.P.K”, “2T Shpk”, “2A Group SH.P.K”, “DOMID SH.P.K’ të cilët sipas dokumentit të tenderimit kanë ofruar 13 milionë e 274 euro, njëherit edhe çmimi më i ultë që ishte ofruar.
Tashmë çështja e renovimit të stadiumit të Gjilanit ka kaluar në kompetencë të Ministrisë së Kulturës.
/Insajderi