Ka përfunduar marrja në pyetje e Sekretarit aktual të Përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri. Gjykata penale pritet të marrë vendim pasi të dëgjojë argumentet e prokurorisë dhe Zeqirit. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit, shkruan Alsat.
Prokurorja Katerina Kolareviç, e cila po punon për rastin, në një deklaratë për mediat nuk ka treguar se ku janë paratë nga përvetësimi i pretenduar i thesarit të shtetit prej një milion eurosh. Ajo tha se nuk kanë prova për rastin, por kanë dyshime, hetimin e kanë hapur dje kur kanë kërkuar paraburgimin e Zeqirit.
Lidhur me dy të dyshuarit e tjerë shtetas të Kroacisë, prokuroria shpall kërkesë për ekstradimin e tyre.
“Informatat operative të MPB-së janë se ata janë larguar nga territori, por gjykata ka urdhër për arrestimin e tyre”, tha prokurorja Kolareviç.