
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Prishtinë, të dyshuar për ”përgatitje të veprave terroriste ose veprave peanle kundër rendit kushtetues dhe sigurisë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “posedim të narkotikëve”.
Në raportin ditor të Policisë për të enjten thuhet se përgjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, gjetën tri zolla, gjashtë fishekë specialë e drogë, raporton Insajderi.
“Prishtinë 08.01.2025-21:02 . Në lidhje me rastin e lartcekur pas konsultimeve me prokurorin kompetent, gjatë kontrollit në banesën dhe objektet përcjellëse tek i dyshuari mashkull kosovar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar; tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave (qese)”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin personi i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje. /Insajderi.org/