Barcelona mbeti e zhgënjyer mbrëmjen e së dielës pas humbjes së dhimbshme në sekondat e fundit ndaj Atletico Madridit.
Ekipi i drejtuar nga Hansi Flick ishte më superior karshi kundërshtarëve të tyre për pothuajse pjesën më të madhe të ndeshjes, por një gol nga Alexander Sorloth në minutën e 95-të, bëri që ‘Los Colchoneros’ të marrin pikët e plota.
Barcelona humbi një mori rastesh për të shënuar në këtë ndeshje dhe në fund e paguan një çmim të rëndë për këtë.
Raphinha ishte në mesin e atyre lojtarëve që shpërdoruan raste të mira shënimi dhe braziliani në një prononcim pas ndeshjes, tha se si kapiten e merr përgjegjësinë mbi supe.
“Mendoj se kemi luajtur shumë mirë. Skuadra është sjellur shumë mirë. Unë e kam zakon që të them se nuk e kontrollojmë rezultatin dhe e kontrollojmë atë çfarë ndodhë në fushë”.
“Në veçanti e pranoj këtë humbje. Në fund, unë humba një rast të pastër për të shënuar dhe mendoj se pesë minuta më vonë ata shënuan golin e fitores”.
“Më pas e gabova pasimin që bëri që ata të shënojnë golin e tyre të dytë. Unë e marr në përgjegjësinë time këtë humbje. Jeta është e tillë”, ka thënë Raphinha.
Reprezentuesi brazilian ka qenë një prej lojtarëve më të dalluar të Barcelonës këtë sezon së bashku me Lamine Yamal dhe Robert Lewandowski, por kjo humbje la një shije të hidhur për kampin blaugranas.