
Vendimi për dorëheqjet e ministrave dhe zëvendësministrave nga qeveria, nga mbledhja e mbrëmshme e kryesisë së BDI-së, ka shkak publikimin e fundit të një telefonate, e cila është produkt sipas kësaj partie, e “laboratorëve të nëntokës”.
Ky është sqarimi i BDI-së, ndërkohë që nuk jepet asnjë detaj mbi hapat e ardhshëm të veprimit. Ajo që është zyrtare, është fakti se çdo gjë tashmë është në duart e kryetarit Ahmeti. Sipas komunikatës së BDI-së, procesi i publikimit të materialeve të përgjuara tashmë është komprometuar pasi ato po përdoren nga kriminelët për qëllime shantazhi e diskreditimi.
“Që nga nisja e zbulimit të përgjimeve joligjore nga opozita maqedonase, BDI-ja ka kërkuar që të publikohet çdo bisedë autentike joligjore që ka të bëjë me krim dhe keqpërdorim të detyrës, por në mungesë të materialeve të tilla të cilat denoncojnë korrupsionin ose krimin nga ana e anëtarëve të BDI-së, qendrat që e luftojnë BDI-në qysh nga viti 2002 po prodhojnë montime dhe fabrikime të përgjimeve të cilat janë absolutisht të papranueshme”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga BDI kërkojnë që Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike të arrestojë falsifikatorët dhe shpërndarësit e përgjimeve të montuara, ndërkohë që publikisht ftojnë edhe prokurorinë speciale publike, njofton Alsat M.
Në komunikatë, theksohet se publikimi i materialeve audio, është si pasojë e mosrealizimit institucional dhe mosreagimit të drejtorive kompetente për të parandaluar degjenerimin e përpjekjeve të kësaj partie, për të vendosur sistem të kontrollit të ndërsjellë, si dhe hetimit institucional të përmbajtjeve të përgjimeve dhe bartjes së përgjegjësisë për çdo keqbërje mbi to.
“BDI-ja nuk merr asnjë përgjegjësi të vetme për daljen e situatës nga kontrolli institucional dhe mundësisë së zbatimit individual të gjyqësisë dhe drejtësisë. BDI-ja fton njëkohësisht edhe Prokurorinë Speciale që të kyçet menjëherë në hetimin e këtij krimi të rëndë i cili po synon dëmtimin personal publik të figurave shoqërore dhe po cenon edhe punën e këtij institucioni i cili ka përgjegjësinë ligjore për bisedat e përgjuara të cilat tashmë po tregtohen dhe po përpunohen në tregun e zi gjithandej në rajon”, thuhet më tej në komunikatë./Insajderi.com