“Kosova është zhytur në një skandal të paprecedentë që ka prekur kombëtaren e tyre të futbollit”, kështu nis shkrimi i gazetës së madhe spanjolle “Marca” për zhvillimet e fundit te “Dardanët”.
Kosova ka fituar vëmendjen e disa mediave të mëdha pas akuzave se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërcënuar lojtarët se do t’iu shkatërronte karrierën dhe t’ua thyente këmbët, duke i përjashtuar më pas nga skuadra për përballjen ndaj Qipros.
“Marca” ka cituar median e njohur kroate “Sportske Jutarnji” duke njoftuar lexuesit se si kryetari i FFK-së akuzohet se ka bërë këso kërcënime ndaj lojtarëve si Edon Zhegrova, Aro Muric e Florent Muslija.
Ndër të tjera, “Marca” citoi edhe gazetarin Arlind Sadiku, i cili prentendon se një nga tre futbollistët i ka konfirmuar që lojtarët janë kërcënuar nga i pari i FFK-së.
Situata veçse po tensionohet pavarësisht fitores ndaj Qipros, ku tifozët edhe kanë nisur peticionin për ta shkarkuar Agim Ademin, ku tashmë janë bërë qindra nënshkrime.
Ndërkohë, në raport shtohet edhe deklarata e Agim Ademit, i cili kuptohet i ka mohuar këto spekulime, duke deklaruar se ishte vendimi i përzgjedhësit Franco Foda.