Përjashtoi kompaninë me çmim trefish më të ulët – si e shpërbleu me tender Rama ish-kandidatin për Asamble nga LDK, që ofertoi me katër kompani - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Përjashtoi kompaninë me çmim trefish më të ulët – si e shpërbleu me tender Rama ish-kandidatin për Asamble nga LDK, që ofertoi me katër kompani

    Insajderi
    24 September 2025 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës ka rekomanduar kompaninë “Berveniku” për kontratën “Furnizimi me dru për ngrohjen e objekteve arsimore, AMF-të, bashkësitë lokale dhe nevojat tjera komunale”. Por dokumentet e tenderit, që ka hulumtuar Insajderi, ngrenë dyshime serioze për kurdisje. Nga shtatë kompanitë që kanë marrë pjesë, njëra kishte ofruar pothuajse trefish më lirë se fituesi, dhe u përjashtua nga gara me arsyetimin se çmimi ishte “jo normalisht i ulët”.

    Katër nga kompanitë tjera pjesëmarrëse, përfshirë edhe Berveniku, kanë të njëjtin pronar: Avni Murtezi, aktivist i njohur i LDK-së, shkruan Insajderi.

    Në fund, “Berveniku” u rekomandua për kontratën “Furnizimi me dru për ngrohjen e objekteve arsimore, AMF-te, bashkesit lokale dhe nevojat tjera Komunale”.

    Vlera e tenderit është 136,000.00 Euro.

    Në tender kanë marrë pjesë shtatë kompani, por njëra prej tyre, që kishte ofruar pothuajse trefish më lirë (59,333 euro), u përjashtua me arsyetimin se çmimi ishte “jo normalisht i ulët”, sipas nenit 61 dhe nenit 41.3 të Ligjit për Prokurim Publik.

    Në anën tjetër të katër kompanitë që kanë për pronar Avni Murtezin, ofertuan me çmim të ndryshëm.

    Dokument, kompanitë që kanë për pronar Avni Murtezin dhe Bedri Murtezin:

    Kush është Avni Murtezi që ofertoi me katër kompani?

    Gazeta Insajderi ka hulumtuar profilin e pronarit dhe del se ai ka lidhje të ngushta me partinë që udhëheq Prishtinën, LDK-në.

    Avni Mutezi është aktivist i devotshëm i kësaj partie.

    I njëjti pronar, në një postim, kryetarin që ia dha tenderin e quajti madje edhe ‘ikonë’

    Murtezi, në zgjedhjet lokale ishte kandidat për asamble në listën e Përparim Ramës.

    FOTO/ Përparim Rama dhe Avni Murtezi

    Në vitin 2019, ai ishte zgjedhur si kryetar i nëndegës se dytë të LDK-së në Kodrën e Trimave.

    Dyshimet për kurdisje të tenderit që Rama ia dha aktivistit të LDK-së

    Në Organin Shqyrtues të Prokurimit është dorëzuar një ankesë ndaj Komunës së Prishtinës se ka kurdisur tenderin për aktivistin e LDK-së.

    Sipas ankesës, përjashtimi i ofertës më të lirë dhe ndryshimi i çmimeve nga katër kompanitë e Murtezit janë tregues të manipulimit të procesit.

    “Ka marrëveshje të fshehtë për kurdisje të çmimit dhe dorëzim i 4 (katër) ofertave me pronarë të
    njëjtë. Kjo është shkelja më e rëndë që është bërë në ketë tender sepse është lejuar që të vlerësohen
    ofertat e katër kompanive që kanë pronarë të njëjtë. Kjo i bie që një pronar ka dorëzuar katër oferta për të njëjtin tender. Sipas të dhënave në regjistrat e ARBK-se shihet qartë se Avni Murtezi dhe Bedri Murtezi janë bashkëpronar ose pronar të vetëm në këto katër firma:

    1. Berveniku Corporation,
    2. AM&BM shpk,
    3. Avni Murtezi B.I. dhe
    4. Nazi Travel.”.

    Në anën tjetër, përderisa Avni dhe Bedri Murtezi ofertuan me katër kompani me çmime të ndryshme, një tjetër u eliminua se ka ofruar shumë lirë.

    “Ju njoftojmë se oferta juaj është vlerësuar si e papërgjegjshme, për këto arsye: Juve ju është kërkuar sqarime për çmim Jo normalisht të ulët me datën 18.08.2025, komfort nenit 61 të LPP-së, dhe Nenit 41,3”.

    Sipas ankesës, Komuna i dha tenderin kompanisë ‘Berveniku’, edhe pse çmimet që ofroi ishin dukshëm më të larta se ato të tregut.

    “AK i ka shkelur këto dy nene të Ligjit për Prokurim Publik në mënyrë drastike duke e shpërblyer me kontratë ofertën e cila i ka çmimet mbi dyfish më të larta se oferta e jonë por edhe që ka ofruar çmime dukshëm më të larta se çmimet aktuale të tregut”.

    Aty thuhet se Komuna ka bërë shkelje flagrante te LPP, përkatësisht të nenit 1 – Qëllimi, ku sipas këtij neni
    Shkelje e nenint Nenit 6 të LPP – Ekonomiciteti dhe Efikasiteti. AK e ka shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik “Berveniku Corporation” SHPK me ofertë prej 136.000,00 Euro e cila është mbi dyfish më e lartë se oferta e jonë prej 59.333,00 Euro.

    Sipas nenit 6 të LPP “Të gjitha autoritetet kontraktuese, janë të obliguara që të sigurojnë që fondet
    publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në
    konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit”.

    Gazeta Insajderi ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës dhe kompania fituese, por deri më tani asnjëra nuk ka dhënë sqarime.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark