Amerika kujton më 29 maj një prej presidentëve më të adhuruar të saj, edhe pse në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai nuk qëndroi dot edhe aq gjatë.
Në 100-vjetorin e lindjes së John Kennedy, shtypi i huaj përmend mitin dhe trashëgiminë e tij.
Presidenti i 35-t? i Shteteve të Bashkuara u lind përpara një shekulli, më 29 maj të vitit 1917. Arritjeve të tij në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, historianët nuk i japin veçse një notë mesatare, por imazhi i “JFK”, si një kryetar shteti dinamik e karizmatik mbetet i patjetërsueshëm.
Në kujtesën kolektive t amerikanëve, Kennedy vazhdon të jetë presidenti i ri e i pashëm, i cili e katapultoi vendin e tij të viteve ’50 drejt modernes, e i dha një frymë euforie si rrallëherë më parë.
Një fjali nga fjalimi i tij i betimit si president në janar të vitit 1961, edhe sot e kësaj dite i skalitur në gur, lexohet në shumë godina dhe ura që mbajnë emrin e Kennedy. “Mos pyesni ç’mund të bëjë vendi për ju, por pyesni ç’mund të bëni ju për vendin tuaj!”.
Kjo ishte një sfidë, që administrata e tij u bënte amerikanëve për të rrokur mundësitë e reja dhe inovacionin. Më vonë, atë vit do të vendoste në një seancë të përbashkët të Kongresit, objektivin e zbritjes së njeriut në Hënë brenda një dekade.
Në kulmin e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, Kennedy përdori të gjitha mjetet në dispozicion për të nxjerrë në pah fuqinë dhe pushtetin e Amerikës. Në udhëtimet diplomatike në vendet aleate anembanë botës, ai do të ngrinte njerëzit peshë, siç ndodhi në Berlinin perëndimor, kur shprehja e tij “Ich bin ein Berliner!” do të kthehej në frymëzim për turmat.
Kennedy u qëllua për vdekje 22 nëntorin e 1963-shit, ndërsa udhëtonte me një makinë të hapur në Dallas të Teksasit. Teoritë e komplotit mbi vdekjen e tij vazhdojnë ende edhe sot, duke e kthyer Kennedyn vet thuajse në një mit.