Përkundër Kurtit që takoi vetëm shoqen e tij në SHBA, presidentja Osmani zhvilloi disa takime zyrtare - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përkundër Kurtit që takoi vetëm shoqen e tij në SHBA, presidentja Osmani zhvilloi disa takime zyrtare

    Insajderi
    29 April 2022 - 21:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, po qëndrojnë në Amerikë. Arsyeja e shkuarjes së tyre atje, ishte ceremonia e varrimit të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Gjatë kësaj vizite, Kurti takim në zyre ka arritur të zhvillojë vetëm me shoqen e tij nga KAN, duke mos llogaritur ato koridoreve. Për dallim prej tij, Osmani ka zhvillluar kogja takime. Ajo është pritur në zyre nga Nancy Pelosi, si dhe është takuar edhe me kongresmenë e senatorë tjerë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kur e mori rrugën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në varrimin e ish-sekretares Madeleine Albright, kryeministri Kurti edhe mund të ketë shpresuar se do i dilte ndonjë takim me zyrtarë të lartë të këtij shteti.

    Disa edhe i ka takuar, por vetëm koridoreve të Katedrales, ku u zhvillua ceremonia e varrimit.

    Takime të shkurta e nga një foto ka arritur ta bëjë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ish-presidentin e ShBA-së, Bill Clinton, ish-zëvëndëspresidentin, Albert Gore, ish-sekretarët e Shtetit Hillary Rodham Clinton, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe ish-kongresistin Eliot Engel.

    Por, tamam takim, ulur në zyre, ka zhvilluar vetëm me shoqen e tij, amerikanen Alice James, e cila është themeluese e “Kosova Action Netëork” (KAN), organizatë kjo nga e cila më pas ka lindur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

    Për këtë takim njoftoi në Facebook, ku tha se ajo i kishte mbështetur protestat e studentëve kosovarë dhe se ishte një zë i fuqishëm edhe për të kur ai ishte i burgosur politik në Serbi bashkë me shokë.

    “25 vjet më vonë: Alice James, themeluesja e Kosova Action Netëork (KAN) që mbështeste protestat tona studentore. Shumë të reja e të rinj nga Kosova i ka ndihmuar Alice për t’u shkolluar në ShBA. E kur ne ishim të burgosur politikë e robër lufte në Serbi, ajo bënte fushatë ndërkombëtare për lirimin tonë”.

    Nikoqir i takimit ishte ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Ilir Dugolli, për të cilin Kurti tregoi se kishte qenë bashkë me të në protesta.

    “Në ambasadën e Republikës së Kosovës në Ëashington D.C., na mirëpriti ambasadori ynë Ilir Dugolli, i cili me 1 tetor 1997 ndodhej në rreshtin e dytë afër meje dhe mbante parullën me stemën e Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Kurti.

    E kaq kohë të lirë e pa angazhime, s’ka pasur Presidentja Vjosa Osmani. Gjatë dy ditëve të fundit, ajo është takuar me disa zyrtarë të lartë amerikanë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Osmani është pritur në takim edhe nga Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Biseduam për raportet e shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për mënyrat se si mund të avancojmë këto raporte edhe më shumë.

    E kam njoftuar kryetaren Pelosi për sukseset e Kosovës si një demokraci e konsoliduar si dhe për reformat që po ndërmarrim e poashtu për sfidat me të cilat përballemi, të cilat do t’i tejkalojmë kur e kemi në krah aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Osmani pas takimit me të, duke i bashkangjitur edhe disa fotografi.

    Pas Pelosit, Osmani dje është takuar edhe me senatorin Chuck Schumer, i cili është lider i shumicës parlamentare në Senat.

    “Me senatorin Chuck Schumer, lider i shumicës parlamentare në Senat, diskutuam për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar në kohën kur bashkimi i demokracive anekënd botës në betejën kundër autokracive po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.​ E falënderova senatorin Schumer për kontributin e tij të deritashëm duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën në këtë kohë sfiduese për kontinentin tone”, shkroi Osmani në Facebook.

    Takim zhvilloi edhe me kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan, senatorin Bob Menendez.

    “Në takim me kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan, senatorin Bob Menendez, diskutova për situatën e krijuar në rajonin tonë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe për faktin se do të ketë interesim të vazhdueshëm nga Rusia dhe aleati i saj në rajon, Serbia, që të minohen të arriturat e popullit të Kosovës dhe të arriturat amerikane në vendin tonë. Poashtu diskutuam për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fusha të ndryshme”, njoftoi Osmani.

    Më vonë u takua edhe me senatorin Gary Poter, që është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Çështje Qeveritare.

    Pas takimit, Osmani tha se Peters ka përkrahur Kosovën për një kohë të gjatë dhe e njeh mirë rajonin tone.

    “Senatori Peters ka përkrahur Kosovën për një kohë të gjatë dhe e njeh mirë rajonin tonë, prandaj diskutova me të për rëndësinë e mbështetjes amerikane në kohën kur rajoni ynë po përballet me sfida të krijuara nga satelitët e Rusisë si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, shkroi ajo në Facebook.

    Takimet me kongresistë e senatorë, Presidentja Osmani i ka vazhduar edhe sot. Presidenca ka njoftuar sot se ajo është takuar me liderin e shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistin Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kongresin Amerikan.

    Në takimin me kongresistin Issa, Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Në takim me kongresistin Darrell Issa, i cili njëherësh është anëtar i grupit për çështje shqiptare, u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani e falënderoi kongresistin Issa që është një zë i rëndësishëm në përkrahje të Kosovës duke potencuar fushat e ndryshme të interesit të dyanshëm ku mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka njoftuar Presidenca.

    Ajo është takuar edhe me kongresistin Steny Hoyer dhe bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatorin Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen.

    Sipas njoftimit të Presidencës, kongresisti Hoyer, e ka siguruar Presidenten Osmani që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane.

    “Ndërkaq, në takime te ndara me bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ne Kongresin Amerikan, senatori Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, Presidentja Osmani i falënderoj për mbështetjen që historikisht i kanë dhënë Kosovës dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në periudhën në vijim të fuqizimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Gjatë takimit me senatorin Cardin dhe kongresistin Cohen, Presidentja Osmani diskutoi edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë, ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë”.

    Pas tyre, ajo zhvilloi takim edhe me Kongresistin Robert Aderholt, i cili shërben edhe si bashkudhëheqës i grupit për çështje shqiptare në kuadër të Kongresit amerikan.

    “Kongresistin Robert Aderholt, i cili shërben edhe si bashkudhëheqës i grupit për çështje shqiptare në kuadër të Kongresit amerikan, e njoftova për punën e institucioneve të Kosovës dhe për reformat që po ndërmerren si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Potencova se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës e SHBA-ve në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, shkroi Osmani në Facebook.

    E takime po zhvillon ende. Pak më herët ka njoftuar se është takuar me kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes, që janë bashkudhëheqës të Grupit për çështje shqiptare në Kongres.

    “Falënderova kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes, të dy bashkudhëheqës të Grupit për çështje shqiptare në Kongres, për angazhimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të Kosovës.

    Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për të gjitha iniciativat që kanë për qëllim mbështetjen e shtetit tonë, përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin e afërt me kongresistët Torres e Himes, si dhe anëtarë të tjerë të Kongresit drejt avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale me SHBA-të”, thuhet në postimin e saj./Reporteri/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark