Policia e Kosovës ka njoftuar se janë intervistuar të dyshuarit e përfshirë në një përleshje në qendrën “The Village” në Ferizaj. Krejt ngjarja ka ndodhur në ora katër të mëngjesit.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Ai ka bërë të ditur se të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt dhe se rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor” dhe “dëmtim apo asgjësim i pasurisë së luajtshme”.
“Me datën 03.08.2024 , rreth orës 03:50 policia rajonale ka pranuar një informatë se në një lokal, tek qendra “The Village” në Ferizaj është një përleshje fizike në progres mes disa personave. Patrullat e policisë menjeherë kanë dalë dhe kanë hasur në disa persona të cilët ishin përleshur fizikisht dhe i kanë shoqëruar në stacionin e policisë”, njofton Veseli.
“Në rast janë kyçur dhe njësia hetimeve dhe pas intervisitimit të personave , në konsultim me prokurorin kujdestar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar ” Lëndim i lehtë trupor dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë së luajtshme””, tha më tej zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Pamjet e përleshjes fizike janë publikuar në rrjetin social ‘TikTok’, ku shihet se të përfshirit në përleshje hedhin gjësende të forta në drejtim të njëri-tjetrit, sikurse është inventari i lokalit. /Insajderi.org/