Përleshje fizike në Seancën gjyqësore në Prizren, i akuzuari për krime lufte e gjuan me shishe të dëmtuarin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përleshje fizike në Seancën gjyqësore në Prizren, i akuzuari për krime lufte e gjuan me shishe të dëmtuarin

    Insajderi
    02 June 2022 - 12:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, gjatë seancë së sotme në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka sulmuar me shishe palën e dëmtuar.

    Pas këtij veprimi ka filluar përleshje fizike mes të akuzuarit dhe palës së dëmtuar , derisa më pas ka ndërhyrë policia.

    Eskalimi i situatës ka ndodhur gjatë seancës kur i demtuari i thotë të akuzuarit “mos shaj se don me marr veten në qafe”, pas këtij momenti i akuzuari i gjuan me shishe të demtuarit.

    Pas kësaj ngjarje të pazakontë seanca është ndërprerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

    Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

    Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

    Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

    Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

    Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark