×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Përmenden në aktakuzë- Këta janë biznesmenët shqiptarë që çuan dyer, dritare e beton tek vila e Radoiçiqit në Ujman

    Insajderi
    16 September 2024 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aktakuza e përpiluar nga Prokuroria Speciale për 45 të dyshuar në sulmin terrorist në Banjskë, në krye me Milan Radoiçiq, përmend edhe përfshirjen e bizneseve dhe bizneseve shqiptare në ndërtimin e vilës së Radoiçiqit tek Liqeni i Ujmanit.

    Dikush e furnizonte me material ndërtimor, e dikush me dyer e dritare. Emra të ndryshëm të biznesmenëve shqiptarë me lokacion në Mitrovicë përmenden në aktakuzën kundër Banjskës. Krejt këta, sipas aktakuzës, ishin ftuar si dëshmitarë për të dëshmuar për punën që kishin kryer në vilën e kryeterroristit Milan Radoiçiq në Liqenin e Ujmanit, e cila u sekuestrua pas Banjskës nga Policia e Kosovës.

    Firma “Afri Univerzal” me pronar Afrim Osmanin, kishte punuar për 5-6 ditë në vilën e Radoiçiqit për të vendosur dritaret. Firma e Osmanit ishte kontraktuar nga firma famëkeqe e Radule Steviq, kompania “RAD” përmes së cilës Radoiçiq u financua për realizimin e sulmit terrorist, raporton Insajderi.

    Osmani ka deklaruar se pagesa iu ishte kryer përmes faturave të rregullta dhe nëpërmjet transaksioneve bankare. Për punë dhe ekzekutimin e të hollave ishte marrë vesh me Radule Steviq.

    Dëshmitari tjetër Afrim Osmani në deklaratën e dhënë me date 07.03.2024, ka deklaruar se është bashkëpronar me vëllezërit e tij në firmën “Afri Univerzal”, e cila merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve me lokacion ne Mitrovicen e Jugut. Ky dëshmitar ka deklaruar se ka punuar 5 apo 6 ditë në vilen tek Liqeni i Ujmanit për  t’i vendosur disa dritare, të kontraktuar nga firma RAD. Në pyetjen se nëse i ka treguar ndonjë person se e kujt ishte Vila, dëshmitari ka deklaruar se kur ishte kontaktuar nga Radule Steviq, i ishte thënë se duhet shkuar te Vila e Milan Radoiçiq per t’i bërë matjet e dritareve dhe për t’i vendosur, kurse pagesën e kishte pranuar nga kompania RAD përmes faturave të rregullta dhe nëpërmjet transaksioneve bankare. Në pyetjen tjetër nëse e kishte takuar ndonjëherë Milan Radoiçiqin, dëshmitari ka deklaruar se i kujtohet që ka qenë viti 2021, kishte ardhur Milan Radoiçiq se bashku me tre djemtë e tij dhe truprojat e tij, i kujtohet se vetëm i ka përshëndetur ne gjuhën shqipe dhe ka vazhduar“, thuhet në dëshminë e tij, të cilën e ka parë Insajderi.

    Mirëpo, kontributi i “Afri Univerzal” në ndërtimin e vilës së Radoiçiqit në Ujman nuk mbaron vetëm me kaq. Sipas dëshmisë së një dëshmitari me emrin Bujar Rama, njëri nga pronarët e “Afri Universal” i njohur me nofkën Bisa i kishte kërkuar t’i vendoste dyert e garazheve tek vila e Radoiçiqit.

    Dëshmitari Bujar Rama ne deklaratën e dhënë me date 06.03.2024, ka deklaruar se ka vendosur dyert e garazheve në vilen te liqeni i Ujmanit, ku porosinë e kishte bërë biznesi Afri Univerzalme seli në Mitrovicë, ku pas përfundimit të punës përfaqësuesi i biznesit i kishte njoftuar se faturat për punime duhet të lëshohen në emrin e firmes “RAD”. Ne deklaratë shton se i kujtohet qëkur kishte shkuar t’i bëjë matjet e nevojshme për përmasat e dyerve, kishte parë shume makina luksoze në garazhë dhe pajisje tjera për kriptovaluta, e kishte pyetur një prej personave të cilët gjendeshin në vilë se të kujt janë këto vetura, personi e kishte këshilluar qe që të mos pyes shumë, si dhe dëshmitari shton se pas një kohe e kishte kuptuar se ato vetura ishin te Milan Radoicic dhe Veselinoviqit”, thuhet në dëshminë e Ramës.

    Vila e Radoiçiqit u furnizua edhe me beton nga një firmë shqiptare përmes biznesit “Rad D.O.O”. Bëhet fjalë për “O.P. Iliria” me pronar Adem Kostanicën. Ai në cilësinë e dëshmitarit u shpreh edhe se si i mundësohej nga njerëz të Radoiçiqit të vinin të kryenin punimet gjatë kohës sa kishte trazira në veri.

    “Në lidhje me furnizimin e materialeve të ndërtimit, dëshmitari Adem Kostanica në deklaratën e dhënë me datën 20.02.2024 në cilësi të pronarit të biznesit “O.P. ILIRIA” me adresë në Mitrovicë, ka deklaruar se e ka furnizuar me beton biznesin “RAD D.O.O.” dhe pagesat i janë bërë përmes bankës, si dhe shton se sipas kërkesës së “RAD D.O.O.” ka dërguar beton tek Vila në Ujman, kurse në rastet kur ka pasur trazira, njerëz të kompanisë “RAD D.O.O.” i kishin përcjell deri tek Vila në Ujman”, citohet të ketë thënë në dëshminë e tij Kostanica.

    Kontributi i shqiptarëve në ndërtimin e vilës së Radoiçiqit s’mbaron me kaq. në detajet e aktakuzës, të cilat i ka parë Insajderi, precizohet se një shqiptar kishte shkuar të punonte si murator. Puna e tij, sipas aktakuzës, ishte ndërtimi i murëve dhe shkallëve. I njëjti ishte angazhuar në këto punë që nga punimet fillestare.

    “Dëshmi apo prova të cilat vërtetojnë se i pandehuri Milan ishte pronar faktik i “RAD D.O.O.” janë deklarata e dëshmitarit A.L (emër i njohur për redaksinë), i cili ishte marrë në pyetje me datë 16.02.2024, ku ka deklaruar se ne fillim të vitit 2020 ishte punësuar si murator te kompania RAD, nga kjo kompani kishte qenë i angazhuar që te punojë tek Vila e Radoiçiqit dhe shton se punët te cilat i ka kryer në këtë vilë kanë qenë puna e vrazhdë e objektit sikurse muret, shkallët, ku ishte i angazhuar që nga punimet fillestare në këtë vilë qe kishin filluar ne vitin 2021, ndërsa e vërteton se përgjegjës për ndërtimin e kësaj vile ka qene F.A”, thuhet në aktakuzë.

    Vila e Radoiçiqit ishte sekuestruar nga Policia e Kosovës menjëherë pas sulmit në Banjskë. Prokuroria tregoi se përgjatë aksionit në vilë u konfiskuan gjërat si vijojnë: Dy automjete të tipit ‘Mercedes’, argjend 4.84 kg, dy motor 4X4, 1 barkë-anije, 7 DVR, dy pllaka antiplumb me dy mbrojtës, tre thika, rutera, dy çelësa të veturave, pesë gëzhoja, një dron, pesë USB, një kamera GoPro- SSD, një video kamerë me kartelë, një shënjestër optike, një spray dhe shtatë telefona celularë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte thënë se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që kjo pronë t’i kalohet Ministrisë së Punëve të Brendshme “e pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës për stacion për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark