Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar jashtëligjshëm një kontratë, së fundmi. Ai ia ka bërë “aminin” tenderit për furnizim të institucioneve arsimore në kryeqytet me pelet, në të cilin vlera e parashikuar u tejkalua për 115%.
Komuna derdhi në arkat e kompanisë “Berveniku” 795 mijë euro. Thënë ndryshe, 425 mijë euro më shumë sesa që planifikoi kur e hapi aktivitetin e prokurimit më 5 korrik të këtij viti.
Lexo edhe:
Diçka e tillë bie ndesh me nenin 19, pika 1, të Ligjit të Prokurimit, i cili specifikon se lejohet tejkalimi i vlerës vetëm deri në 125 mijë euro më tepër, shkruan Front Online.
Për 1 ton pelet, komuna ka paguar rreth 500 euro. Për 1600 në total gjithsej 795 mijë euro.
Me sasitë e kësaj lënde djegëse do të furnizohen për dy muaj shkollat dhe çerdhet publike të kryeqytetit.
Për tenderin kanë aplikuar 5 kompani në total.
Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Nazi Travel” dhe “Avicilla” ofertuan më së liri me 670 mijë euro.
Ky çmim i tyre ishte për 125 mijë euro më i ulët sesa i kompanisë fituese, “Avni Murtezi” apo “Berveniku”.
Ofertat e tre operatorëve tjerë ishin më të shtrenjta.
Lexo edhe:
Nga komuna e Prishtinës e kanë arsyetuar dhënien e tenderit.
“Vlera e parashikuar prej 375 mijë euro është për faktin se çmimi i lëndës djegëse (pelet) vitet e kaluara ka qenë shumë më i lirë se sa që është sot në treg. Kriza globale ka bërë që të ketë çmime enorme të ngritura andaj edhe vlera e kontratës ka mund të jetë jo vetëm 114% më e lartë por edhe shumë, shumë më e lartë”.
Të pyetur për bazën ligjore, nga komuna kanë thënë se janë mbështetur në Ligjin e Prokurimit Publik, por pa treguar asgjë më tepër.
“Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë me një çmim shumë më të volitshëm se sa që është çmimi në treg. Komuna e Prishtinës ka vendosur për këtë çështje gjithnj duke u mbështetur në LPP dhe ne RRUOPP”, thuhet në përgjigjen e komunës.