Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po pritet themelimi i Policisë së Kryeqytetit.
Rama ka neglizhuar prezencën e madhe të narkotikëve dhe posedimin e armëve në kryeqytet. Në një postim në ‘Facebook’, ka thënë se fokusi i Policisë së Kryeqytetit do të jetë mbikëqyrja e banorëve që hedhin mbeturina jashtë shportës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar procedurat për Strukturimin e Policisë së Kryeqytetit, një hap tepër i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien në qytetin tonë”, ka shkruar ai.
“Sot, në një takim me udhëheqësit kryesorë të Policisë së Republikës së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshën, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani dhe Drejtorin e Departamentit të Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazin, diskutuam detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë”.
“Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë “Pastrimi” të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike”, përfundon postimi i tij.
Ishte vetë Rama që e adresonte si shqetësim përpara gati një viti çështjen e nivelit të lartë të kriminalitetit në Prishtinë. Ai thoshte se çdo e dyta veturë në mesnatë në kryeqytet është e armatosur. /Insajderi.org/