Me propozimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të premten në seancën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës do të shqyrtohet një pikë në rendin e ditës që përfshin shkëmbimin e disa pronave private me ato publike.
Komuna e Prishtinës po vazhdon shkëmbimin e pronave me individë privatë, duke argumentuar se ky proces është i nevojshëm për realizimin e planeve rregulluese. Për ndërtimin e një objekti në Lagjen “Muhaxhirët”, disa investitorë kërkojnë që të fitojnë një parcelë të komunës. Megjithatë, disa banorë të zonës po e kundërshtojnë këtë propozim, duke pretenduar se ata gjithashtu posedojnë prona në atë zonë dhe nuk janë përfshirë në mënyrë adekuate në procesin e vendimmarrjes të komunës së Përparim Ramës.
Pronarët e disa parcelave në Lagjen “Muhaxhirët” kanë dorëzuar fillimisht një ankesë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), të njëjtën e kanë përcjellë edhe në Komunën e Prishtinës, duke kundërshtuar zgjidhjet urbane dhe shkëmbimin e pronës ndërtimore, të cilat janë propozuar nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës.
Në ankesën e dorëzuar më 30 nëntor 2023, ata argumentojnë se procedura e shkëmbimit të tokës ndërtimore mes Komunës së Prishtinës dhe një prone private në lagjen Mati është në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Sipas tyre, efektet juridike të aktit administrativ, që përfshijnë edhe kushtet ndërtimore të përcaktuara, janë pezulluar deri në zgjidhjen e çështjes në organin e shkallës së dytë. Duke iu referuar Ligjit për Procedurën Administrative, ata theksojnë se çdo veprim tjetër për këmbimin e tokës është i paligjshëm deri në përfundimin e procesit të ankesës.
Ankesa bazohet në nenin 130 të Ligjit Nr. 05/L-031, i cili parashikon pezullimin e efektit juridik të një akti administrativ kur paraqitet një ankesë, përveçse nëse ndryshe parashikohet me ligj. Pronarët pretendojnë se nuk është marrë asnjë masë nga organet kompetente për të ndaluar efektin pezullues të këtij vendimi dhe se çdo veprim për këmbimin e pronave mbetet në kundërshtim me ligjin.
Ata kërkojnë që Drejtoria e Urbanizmit të njoftojë Drejtorinë e Pronës dhe Kuvendin Komunal për të ndaluar të gjitha procedurat për këmbimin e tokës deri sa të zgjidhet ankesa. Po ashtu, ata paralajmërojnë se nëse procesi vazhdon pa marrë parasysh ankesën e tyre, do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjor për të mbrojtur të drejtat e tyre pronësore.
Megjithatë, komuna tashmë ka përgatitur dokumentin për këmbimin, i cili do të dërgohet në Kuvendin Komunal këtë të premte dhe që sipas të dhënave favorizon vetëm një grup individësh.
Në emër të pronarëve, ankesën e ka bërë Faton Hoxha, një pronar i një parcele në atë zonë, i cili është gjithashtu kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore. Ankesa është dorëzuar në komunë e në MMPHI dhe ka alarmuar Kryesuesin e Kuvendit Komunal për ta hequr atë pikë nga rendi i ditës, për shkak të ankesës në shkallën e dytë.
Në ankesën e bërë thuhet: “Duke iu referuar kushteve ndërtimore me numër të lëndës 05 NR.350/02-256940/22 datë 27.10.2023, në kuadër të Planit Rregullues ‘Muhaxhirët’, njoftojmë se si palë të interesuara kemi paraqitur ankesë në organin e shkallës së dytë, konkretisht në MMPHI, për shkak të mosmarrëveshjeve me zgjidhjen urbane të ofruar. Në kushtet ndërtimore të cekura është paraparë një këmbim i tokës ndërtimore që është pronë e Komunës së Prishtinës me një pronë tjetër në lagjen Mati. Çdo veprim për këmbimin e tokës është i paligjshëm deri në zgjidhjen e ankesës nga organi epror, MMPHI”.
Ankesa gjithashtu thekson se ndërprerja e efektit pezullues mund të bëhet vetëm nga organi që shqyrton ankesën, kur ai konsideron se vonesa mund të shkaktojë një dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm interesit publik apo një pale të tretë. Në këtë rast konkret, nuk ka ndalim të efektit pezullues nga organi i shkallës së dytë dhe ndalimi i këtij efekti mund të bëhet edhe nga Gjykata kompetente për konfliktet administrative, përveç që shkëmbimet e propozuara janë të kundërshtueshme deri në zgjidhjen e çështjes.
Pronarët kërkojnë nga Drejtoria e Urbanizmit që të njoftojë Drejtorinë e Pronës dhe Kuvendin Komunal për pezullimin e çdo procedure këmbimi deri në zgjidhjen e ankesës dhe paralajmërojnë se do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë në rast se procesi vazhdon pa marrë parasysh ankesën e tyre.
Më të lëshuar kushtet ndërtimore, palët kanë ushtruar fillimisht ankesë në MMPHI.
“Duke marrë shkas nga Vendimi 05 Nr. 350/02-256940/22 i dt. 27.10.2023 për Caktimin e Kushteve Ndërtimore, i Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës dhe përgjigjes së dt. 31.10.2023 nga Ardian Zymeri (bashkëpunëtor profesional për urbanizëm në DU), që i referohet Ankesës së dt. 25.08.2023 për procedurat dhe kriteret e planit rregullues për publikim të njoftimit të dt. 11.08.2023, si pronarët të parcelave fqinje, (trjedhimisht palë në procedurë), kërkoj nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës të anulojë vendimin e lartpërmendur për shkak të mos respektimit të kritereve që janë përcaktuar me planin rregullues të lagjes “Muhaxhirët” në Prishtinë dhe për shkak të mos trajtimit të barabartë të palëve në procedurë. ARSYETIM – Zgjidhja urbane e pjesshme për Bllokun [vendi i bllokut mungon në imazh] dhe 7112-15, e propozuar nga investitori “4A Sh.p.k.”, i bërë publik në njoftimin e dt. 11.08.2023, sipas Vendimit 05 Nr. 350/02-256940/22, të dt. 27.10.2023, për Caktimin e Kushteve Ndërtimore, nuk është në përputhje me kriteret e planit rregullues dhe pamundëson avullimin e parcelave fqinje, ndër të cilat është edhe parcela ime me nr. 7112-10. Sipas Planit Rregullues Urban “Muhaxhirët”, duhet të hartohet plani detaj urban, për secilin bllok urban e jo plan i një pjese të bllokut, dhe për këtë nevojiten marrëveshje me pronarët. Marrëveshja me të gjithë pronarët është e domosdoshme për nënshkrimin e bllokut qe parashihet që të ketë riparim. Konkretisht, në shkresën që është lëshuar, për çdo bllok urban duhet të hartohet plani i detajuar i urbanizmit, përfshirë riparimet e domosdoshme midis parcelave fqinje. Për pasojë, këto kritere janë anashkaluar, ndërsa projekti i ndërtimit nuk është i përputhshëm me kriteret e përcaktuara nga ky plan. Për zgjidhjen e paraqitur në njoftimin publik të dt. 11.08.2023, në vend që të paraqitet një zgjidhje urbane për të gjithë bllokun siç kërkohet nga Plani Rregullues Urban “Muhaxhirët”, që nënkupton mundësinë e zhvillimit të parcelave fqinje dhe eliminon mundësinë e ndonjë cënimi të ardhshëm nga objekti në ndërtim, vërehet se është paraqitur vetëm një pjesë e hijezuar brenda parcelave fqinje dhe një dimension 7.00 m. Kjo sugjeron nevojën për reciprocitet në distancën e ndërtesës nga kufiri i ngastrës edhe pse kjo ka qenë zgjedhje e vet investitorit “4A” Sh.p.k. Siç theksohet në planin rregulles: “Tipi i mbulimit dl, mundëson ndërtimin e objektit me një gjatësi prej max. 75 m dhe sipërfaqe të lirë prej 0.3 x lartësia e ndërtesës ose së paku 7.0 m nga kufiri i parceles. Thellësia max. e ndërtesës është 20.0 m”. Pra, është vendimtare të theksohet se një reciprocitet i tillë nuk parashikohet në planin rregullues apo në ndonjë dokument tjetër ligjor të zbatueshëm në këto rrethana. Si pasojë, ky reciprocitet pengon ndërtimin e një objekti të veçantë në parcelën time, të pavarur nga objekti që po ndërtohet në parcelat e sipërpërmendura. Prandaj, Vendimi 05 Nr. 350/02- 256940/22 i bazuar në këtë zgjidhje të pjesshme është jo vetëm në kundërshtim me planin rregullues urban, por poashtu krejtësisht diskriminues ndaj nesh si palë e barabartë në bllokun A01”, thuhet në ankesën që e ka parë Demokracia.com.
Komuna e Përparim Ramës, në anën tjetër, planifikon të japë një nga parcelat më të shtrenjta në Prishtinë, në lagjen “Muhaxhirët”, për të marrë parcela në Matiçan. Këto kushte ndërtimore përfshijnë ndërtimin e Kompleksit “Terra Rezidencë 1”, që përfshin ndërtesa shumëbanesore dhe afariste në kuadër të Bllokut Urban “C3”.
Kushtet ndërtimore janë lëshuar vetëm për disa pronarë dhe investitorë të veçantë, duke përfshirë Shkelzen, Ylli, Hyzdri, Fehmi Krasniqi, Vehbi, Idriz, Shyhrete dhe Ekrem Tahiri nga Prishtina, si dhe investitorin “Terra Investment” sh.p.k. nga Prishtina. Këmbimi i parcelave është propozuar të bëhet mes parcelave në lagjen “Muhaxhirët” dhe atyre në Matiçan, ku disa nga to janë të destinuara për interes publik sipas Planit Rregullues “Mati 1”.
“Këmbimi i pjesës së parcelës kadastrale nr. 7112-12 ZK Prishtinë, me pronar / posedues “P.SH. Rruga KK Prishtina” dhe nr.7112-16 ZK Prishtinë, me pronar / posedues “Komuna e Prishtinës” është propozuar të bëhet me parcelat kadatrale nr.583-9 ZK Matiçan me sipërfaqe S=697m2 dhe nr.583-10 ZK Matiçan, me sipërfaqe S-318m2 (është shënuar gabim nr. 583-9 ZK Matiçan me S-697m2), dhe me sipërfaqe të tërësishme S=1,015m2, të cilat parcela përfshihen në hapësirë të destinuar për interes publik, përkatësisht në rrugë të planifikuar, sipas Planit Rregullues “Mati 1″…”, shënohet teksti me përmbajtje: “Këmbimi i pjesës së parcelës kadastrale nr. 7112-12 ZK Prishtinë, me pronar / posedues “P.SH. Rruga KK Prishtina” dhe nr.7112-16 ZK Prishtinë, me pronar / posedues “Komuna e Prishtinës”, është propozuar të bëhet me parcelën kadatrale nr.1064-5 ZK Matiçan, me sipërfaqe S=942m2, e cila parcelë përfshihet në hapësirë të destinuar për interes publik, sipas Planit Rregullues “Prishtina e Re-Zona Qendër”, me destinim “Zonë për shfrytëzim shoqëror”, si shkollë dhe QMF, ….”; Në arsyetim, përkatësisht në tërë përmbajtjen tekstuale të tij, në vend të parcelave kadastrale nr.583- 9 & 583-10 ZK Matiçan, shënohet parcela kadastrale nr.1064-5 ZK Matican”, thuhet tutje te kushtet ndërtimore, konkretisht te shkëmbimi i parcelave.