Perparim Rama thirrje diasporës: Mos votoni beretat e kuqe që bllokuan gjithçka – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Perparim Rama thirrje diasporës: Mos votoni beretat e kuqe që bllokuan gjithçka

    Insajderi
    08 February 2025 - 16:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka dalë me një thirrje publike për diasporën për atë se kë duhet të votojnë në këto zgjedhje.

    Rama ka shkruar se Kosova është dhe duhet të mbetet një vend I lirë, ky qytetarët nuk uniformohen, ku nuk ndjekin verbërisht individin dhe nuk bien pre e politikave që kërkojnë nënshtrim e jo mendim të lirë.

    Kreu i Komunës së Prishtinës ka thënë se s’duhet votuar për “beretat e kuqe” dhe “Baba”.

    “Kosova është dhe duhet të mbetet një vend i lirë, ku qytetarët nuk uniformohen, nuk ndjekin verbërisht individin dhe nuk bien pre e politikave që kërkojnë nënshtrim e jo mendim të lirë. Jo bereta të kuqe, jo “Baba”!”, ka shkruar Rama.

    Rama ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka as program për qytetarët dhe ka nxitur vetëm përçarje, përqeshje, etiketime e ofendime.

     “Ata nuk kanë ndërtuar, por kanë bllokuar!”, ka shkruar Rama

    Reagimi i plotë:

    DIASPORË E DASHUR,

    Të nderuar qytetarë, të respektuar bashkëkombës,

    Sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të rikthejmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: –

    Respektin për sakrificën e atyre që luftuan për lirinë tonë – JO ofendime dhe mohime të sakrificës së tyre!

    Ata që dhanë jetën dhe u flijuan për këtë vend meritojnë nderim dhe mirënjohje të përjetshme, jo fyerje dhe urrejtje.

    Respektin ndaj atyre që ndërtuan institucionet e këtij shteti – jo përqeshje dhe nxitje të përçarjes! Kosova nuk u ngrit nga askund, por mbi mundin, dijen dhe vizionin e atyre që ndërtuan themelet e saj, dhe askush nuk ka të drejtë t’i përbaltë këto arritje. –

    Forcimin e familjes si shtylla themelore e shoqërisë sonë dhe mbrojtjen e individualitetit si vlerë e patjetërsueshme – jo imponim ideologjik dhe propagandë totalitare!

    Kosova është dhe duhet të mbetet një vend i lirë, ku qytetarët nuk uniformohen, nuk ndjekin verbërisht individin dhe nuk bien pre e politikave që kërkojnë nënshtrim e jo mendim të lirë. Jo bereta të kuqe, jo “Baba”!

    Të besojmë në një Kosovë të ndërtuar mbi vlera të qëndrueshme, mbi respekt dhe dinjitet, jo mbi përçarje, mohim e manipulim!

    Nuk kemi ardhur këtu për të ndarë njerëzit, për të përçarë qytetarët, apo për të përdorur gjuhën e urrejtjes dhe fyerjeve. Nuk duhet të jetë Politika si një arenë hakmarrjeje, por si një mision për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

    Fatkeqësisht, ata që sot e mbajnë pushtetin e kanë dëshmuar të kundërtën, pa një program për qytetarët, vetëm përçarje, përqeshje etiketime dhe ofendime.

    Ata nuk kanë ndërtuar, por kanë bllokuar!

    Projektet madhore të kryeqytetit dhe të shumë komunave të tjera janë bllokuar nga qeveria, jo për arsye profesionale apo ligjore, por për inate politike. Në vend që të punonin për zhvillim, ata kanë penalizuar qytetarët, duke i ndaluar investimet që do të përmirësonin jetën e secilit prej jush.

    Kemi humbur projekte të mëdha për shkak të paaftësisë dhe izolimit që kjo qeveri i ka shkaktuar Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Nuk ka asnjë dyshim: marrëdhëniet tona me miqtë tanë, me ata që gjithmonë na kanë mbështetur, janë dëmtuar rëndë. Për herë të parë në historinë e Kosovës, asnjë zyrtar i kësaj qeverie nuk është ftuar e as takuar nga partneri ynë më i madh strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo është e papranueshme!

    Kjo është një goditje e rëndë për shtetin dhe qytetarët tanë, për të ardhmen tonë.

    Shteti nuk mund të ecë përpara me njerëz që nuk dinë të udhëheqin, që nuk kanë vizion dhe që e shohin politikën si një lojë hakmarrjeje. Këtë popull nuk duhet ta mbajmë nën frikën e armikut të jashtëm e të brendshëm!

    Duhet të rikthejmë besimin, të hapim rrugën për zhvillim dhe të forcojmë themelet e një shteti që respekton sakrificën e së kaluarës dhe ndërton një të ardhme të sigurt për të gjithë.

    Prishtina po ecë para me realizim rekord te buxhetit, me vizion e mision, përkunder sfidave.

    T’i ndihmojmë edhe Kosovës nesër me votën tuaj të çmuar.

    Faleminderit!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark