Ishte paraparë që të blihen 1400 dollapa për shkollat e Kryeqytetit. 105 mijë euro janë parashikuar për këtë tender i hapur në shkurt të këtij viti. Janë bërë 19 ditë që kur ka filluar mësimi, mirëpo tenderi ka ngecur në OSHP, e cila ka marrë vendim për pezullimin e tij pasi që po dyshohet për shkelje të ligjit nga Autoriteti Kontraktues.
Gazeta Insajderi
Komuna e Prishtinës me datën 19 shkurt 2024 kishte hapur tender për “Furnizimin me inventar shkollor për artikujt që nuk janë në AQP – Dollap metalik”.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 105.000 euro.
Në këtë tender komuna e Prishtinës kishte parashikuar të blejë 1,400 dollapëve, sipas këtyre specifikave: “Furnizim dhe montim i dollapëve/lockers të cilët duhet të jenë nga materiali i çelikut i plastifikuar që nuk ndryshket, me trashësi 0.5mm-0.9mm.
Metali i dollapëve duhet të jetë i veshur me pudër elektrostatike (electrostatic powder coating). Dollapët duhet të jenë modularë, ku një modul ka këto dimensione: 305x460x1300mm, secili modul ka katër ndarje vertikale të barabarta. Ndarjet duhet të jenë të qëndrueshme ndaj përdorimit të shpeshtë, të qëndrueshme ndaj ndryshkjes dhe peshës.
Kapakët/dyert e dollapëve duhet të kenë vrima për ajrosje, vend për vendosjen e numrit/emrit (name tag), si dhe mekanizëm për hapje dhe mbyllje (sharnjerë) kualitativë për shumë përdorime, bravë dhe tre çelësa rezervë, si dhe gominat që shërbejnë për mbyllje të qetë/pa zhurmë, etj”.
12 operator ekonomik konkurruan për këtë tender.
Më 31 gusht, komuna e Përparim Ramës rekomandoi për kontratë kompaninë “Europrint Group” me një ofertë prej 69,720.00 euro.
Mirëpo, kompania në garë, “BE NEW” L.L.C, bëri ankesë, duke pretenduar se operatori i rekomanduar nuk i plotësonte disa kritere të vendosura nga komuna.
Nuk u ndal me kaq, kompania “BE NEW” L.L.C, dorëzoi ankesë edhe në OSHP. OSHP gjeti se kompania e rekomanduar nuk i plotësonte kushtet dhe rekomandoi që komuna të bëjë edhe një herë vlerësimin e ofertave.
Tutje në vendimin e OSHP’së thuhet se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me RRPP 001/2022 gjatë vlerësimit të ofertës së Operatorit Ekonomik.
“Eksperti shqyrtues vlerëson se AK nuk ka vepruar ne përputhje me RRPP 001/2022 gjate
vlerësimit te ofertës se OE te rekomanduar për kontrate për faktin se oferta e OE te
rekomanduar për kontrate nuk ka kontinuitet te validitetit te sigurimit te ofertës dhe si rezultat
pretendimi ankimor ne këtë pike është i bazuar”, thuhet në vendimin e ekspertit të OSHP-së.
Një nga pretendimet kryesore të operatorit ekonomik ankues “BE NEW” L.L.C. lidhet me faktin se operatori i rekomanduar për kontratë, “EUROPRINT GROUP SH.P.K.”, nuk e ka dorëzuar testin e raportit SVHC, një kërkesë teknike kyçe lidhur me përmbajtjen kimike të produktit.
Raporti i dorëzuar për sigurinë fizike nga operatori ekonomik i rekomanduar nuk e përmban këtë test të nevojshëm, duke mos përmbushur kriteret e kërkesës fillestare.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e ekspertit të OSHP-së.
Me datën 19 gusht u mor vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurimit.
Nëse rekomandimet e ekspertit shqyrtues zbatohen, Autoriteti Kontraktues duhet të rivlerësojë ofertat duke siguruar një trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe për të respektuar në plotësi kërkesat teknike të tenderit.
Me pezullimin e këtij tenderi, nënkupton që do të ketë mungesë për 1400 dollapa të nxënësve në shkollat e Prishtinës. /Insajderi.org/