Kryediplomatja Donika Gërvalla, ia ka dërguar një letër kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, duke ushtruar trysni për formën se si të mbahen zgjedhjet jashtë vendit. Në këtë letër, ajo ka kërkuar hapësira shtesë për qendra votimesh jashtë Kosovës. Vetëvendosja, parti kjo e cila është në koalicion me partinë e Gërvallës, ka pasur një numër të madh votash në mërgatë në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë letrën, ku Gërvalla njofton se ka përzgjedhur disa hapësira shtesë për vendvotim për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të vitit të ardhshëm. Në letër pretendohet se këto hapësira plotësojnë “të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore”.
“Përmes kësaj shkrese ftoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë hapësirat e ofruara, si më poshtë, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe të njejtat t’i miratojë me procedurë të rregullt ligjore, si vendvotime për votimin fizik jashtë vendit”, thuhet ndër të tjera.
“Në këtë kontekst, vlerësojmë se hapësirat e propozuara plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara ligjore dhe, si të tilla, duhet të miratohen nga organet e brendshme vendimarrëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Miratimi i këtyre hapësirave nga ana e KQZ-së krijon kushtet dhe hap rrugë që përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për kontraktimin e tyre nga organet publike/lokale ose dhe operatorët privat, para dates 2 dhjetor 2024, kur edhe planifikojmë t’iu përcjellim shteteve pritëse informacionet e përditësuara përmes korrespodencës, pas njoftimit paraprak që ua kemi bërë në rrugën diplomatike”, vijon letra tutje.
Gërvalla ka dhënë edhe interpretime ligjore, duke u thirrur në atë që Lëvizja Vetëvendosje e kishte bërë në ankesën në PZAP dhe Gjykatë Supreme për ankimin e vendimit të KQZ’së për kufizimin e numrit të votuesve dhe qendrave jashtë vendit – privimin në votim.
“Si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ndajmë obligimet me KQZ-në në kuadrin e organizimit të zgjedhjeve jashtë vendit dhe theksojmë se nuk ka asnjë lloj pengese ligjore në miratimin e hapësirave të propozuara. Përkundrazi, shkelje paraqet privimi i votuesve nga e drejta e tyre ligjore për të zgjedhur vet mënyrën e votimit. Ligjet tona nuk përcaktojnë kufizime të hapësirave, ngjashëm me to, kufizime nuk përcaktojnë as dispozitat e aplikueshme ndërkombëtare. Hapësirat e përfaqësive tona, përveç atyre që janë blerë dhe janë tashmë në pronësi të shtetit të Kosovës, shumica janë pronë private dhe e marrë në shfrytëzim me qira”.
Gazeta Insajderi sot raportoi me burime se pushteti i është zotuar zyrtarëve të një selie të Vetëvendosjes në Itali se hapësirën që po shfrytëzohet për aktivitete politike me qira do ta kthejë në qendër votimi.
Fotografia nga kjo seli:
Gërvalla në letër ankohet tutje kinse KQZ’ja “ka shkelur detyrimet ligjore në raport me konsultimin e obligueshëm dhe bashkërëndimin e aktiviteteve përgatitore dhe vendimarrëse me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës“.
Kjo letër e Gërvallës vjen pas refuzimit të memorandumit të bashkëpunimit që ia bëri KQZ’ja ministrisë që kryediplomatja udhëheq.
Në një draft-memorandum bashkëpunimi të cilën e ka siguruar Insajderi, është shqyrtuar nga Divizioni i Shërbimit të Votuesve (DSHV) në kuadër të KQZ’së.
Në pikën 1.4, përmes memorandumit të bashkëpunimit MPJD synon të marrë edhe kompetenca që s’i takojnë as KQZ’së. Më saktësisht, kjo pikë parasheh që ministria e udhëhequr nga Gërvalla “të sigurojë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor”.
Në komentin e DSHV’së, thuhet se “ky është një kufizim injorant dhe i patolerueshëm i rolit të MPJD në sigurimin e hapësirave për votim. Detyrë e KQZ është të vlerësojë përshtatshmërinë e tyre teknike, por jo edhe sigurimin e hapësirave, ashtu sikurse nuk është edhe në Kosovë”.
Pos tjerash, ministria e Gërvallës përmes këtij draft-memorandumi të bashkëpunimit kërkon që t’i ketë në “llupë” operatorët ekonomikë të angazhuar lidhur me procesin e votimit jashtë vendit.
Në kompetencat e KQZ’së, thuhet se institucioni i pavarur duhet “të sigurojë, në përputhje me procedurat e saj, operatorët ekonomik për shërbime të caktuara. Për të gjithë operatorët ekonomik të kontraktuar nga KQZ, lidhur me votimin jashtë vendit, KQZ duhet ta njoftojë me shkrim MPJD-në, duke i përcjellur kësaj të fundit detajet e plota mbi operatorin e caktuar ekonomik“, thuhet pos tjerash në këtë draft-memorandum bashkëpunimi.
Më 28 gusht të këtij viti, KQZ’ja në mbledhjen e rregullt kishte miratuar Listen e Qendrave te Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe numrit maksimal të votuesve. Me këtë, s’ishte pajtuar Vetëvendosja, e cila kishte vendosur ta atakojë vendimin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Gjithsej, ishin përcaktuar 23 shtete me 47 qendra votimi nëpër shtetet e jashtme.
Lëvizja Vetëvendosje në ankesën e tyre kishte kërkuar që KQZ’ja të rivlerësojë hapësirat për caktimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe të heq kufizimin e numrit të votuesve. Kjo, sipas VV’së, kufizon të drejtën e lirë të votës.
“Parashtruesit e ankesave kanë theksuar se nisur nga këto fakte konkrete, shihet qartë se nxjerrja e vendimit nga KQZ nuk është bërë në bashkëpunim me MPJ ashtu siç kërkon neni 96 par.8 i LZP-së, andaj, vendimi i KQZ është arbitrarë, i kundërligjshëm, i pa arsyetuar dhe diskriminues në raport me votuesit jashtë Kosovës, pasi që e drejta e votës është e drejtë e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se askush nuk ka të drejtë të kufizojë këtë të drejtë, përveç kur kjo kufizohet me vendim gjyqësor”, thuhet më saktësisht në aktvendimin që përshkruan historikun e ankesave.
PZAP’ja në shtator të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e VV’së, duke i dhënë të drejtë KQZ’së. Komisioni i pavarur për çështje të zgjedhjeve thotë se ekziston një rregullore që bën vlerësimin e kapaciteteve për votim, kurse kujton se s’e kufizon të drejtën e votimit meqë ekzistojnë mënyra të tjera përveç votimit fizik.
“KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi, kurse, par.8 i Rregullores, e ka paraparë mundësinë e plotësimit të numrit të caktuar dhe si duhet të veprohet pasi të arrihet numri maksimal i votuesve në përfaqësi diplomatike. Në këtë rast, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat tjera të votimit”, thuhet në arsyetimin e KQZ’së.
VV’së s’i kishte pëlqyer vendimi i PZAP’së, duke kërkuar shqyrtim edhe nga Gjykata Supreme. Supremja i kishte dhënë të drejtë PZAP’së.
VENDIMI I GJYKATËS SUPREME:
Sot KQZ’ja do të mbajë mbledhje nga ora 14:00.
Në rend të ditës është shqyrtimi i kërkesës së MPJD’së për miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet e 9 shkurtit. /Insajderi.org/