Përpjekjet e shtetit për integrimin e universitetit të Mitrovicës së veriut - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përpjekjet e shtetit për integrimin e universitetit të Mitrovicës së veriut

    Insajderi
    12 July 2016 - 09:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Verifikimi i vlefshmërisë së diplomave, të cilat janë marrë nga studentët në të ashtuquajturin “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë” të veriut, institucion ky paralel serb i arsimit, do të mund të bëhet deri në maj të vitit 2017, thonë zyrtarët e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Qeverisë së Kosovës.

    Kjo sipas tyre, nënkupton integrimin e këtij universiteti në arsimin e Kosovës.

    Siç thonë ata, verifikimin e këtyre diplomave mund ta kryejnë të gjithë ata studentë që dëshirojnë të punojnë në institucionet e Kosovës.

    Njohja e këtyre diplomave rrjedhë nga marrëveshja e Brukselit, e vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Qeverisë së Kosovës, Usmen Balzhi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Komisioni për verifikimin e këtyre diplomave, ka nisur punën në maj të këtij viti.

    Ky proces, sipas tij, është mjaft pozitiv për faktin se në këtë mënyrë, i jepet rasti komunitetit serb dhe të gjithë atyre që kanë studiuar në universitetin në Mitrovicë të veriut, të integrohen në shoqërinë e Kosovës, të jenë të pranishëm në tregun e punës, si dhe tu hiqen pengesat me të cilat janë ballafaquar deri më tash.

    “Pres që, pas një viti, Universiteti në Mitrovicën e veriut të integrohet në arsimin e Kosovës dhe në të ardhmen ta ndryshojë edhe pamjen e diplomave, të cilat i ka lëshuar deri më tash. Unë jam optimist dhe e di që do të ndodhë kjo. Fundja edhe marrëveshjet e Brukselit e kanë këtë qëllim, që më në fund, të zgjidhet problemi i arsimimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që në të ardhmen të mos ndodhin gjerat e së kaluarës”, ka thënë zëvendësministri Baldzhi.

    Por, Ivo Tomiq, drejtor i Zyrës për çështje të komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se tash e më shumë se një muaj, ka nisur pranimi i kërkesave të studentëve për verifikimin e diplomave, në Ministrinë e Arsimit, në Graçanicë, por se zbatimi po vonon në Mitrovicë të veriut.

    Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm proces i verifikimit dhe se pohimet se ky proces ka të bëj me çfarëdo integrimi ose ngjashëm, nuk qëndrojnë.

    “Kushdo që i kupton këto çështje, e di se çfarë nënkupton procesi i verifikimit. Bëhet fjalë për atë që vetëm kërkohet vërtetimi që ajo diplomë vërtetë është lëshuar ose jo nga fakulteti, në mënyrë që studenti ta marrë letrën nga Ministria e Arsimit dhe që në mënyrë të vlefshme është arritur ajo diplomë. Me atë letër mund të kërkohen vendet e punës në institucionet publike”, ka thënë Tomiq.

    Ai ka shtuar se në vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, për pranimin e diplomave të universitetit që funksionon në Mitrovicën e veriut, procesi quhet proces i verifikimit të diplomave.

    Por, sa është i rëndësishëm vet ky proces i verifikimit të vlefshmërisë së diplomave për studentët serbë që jetojnë në Kosovë dhe si e shohin ata?

    Radica Obradoviq, juriste e diplomuar në të ashtuquajturin “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, e quan të rëndësishëm këtë proces për të.

    “Unë i kam dorëzuar dokumentet e mia. Duke pasur parasysh që i kam përfunduar studimet në ‘Universitetin e Prishtinës’, ata këtu e konsiderojnë paralel dhe kërkojnë verifikimin. Por, nuk paguajmë asgjë, përveç disa taksave në gjyq, për ta verifikuar diplomën”, tha Obradoviq.

    Stevan Markoviq nga Mitrovica e veriut, thotë se procesi i verifikimit të diplomave, ndonëse është i dobishëm, në afat të gjatë do të dëshmohet se është vetëm edhe një hap drejt integrimit.

    “Kjo është e dobishme, por në afat të gjatë mund të jetë diçka e keqe për ne, sepse kjo, sipas autoriteteve të Kosovës, është shkalla e parë e integrimit të universitetit. Ky proces do t’i ndihmojë ata që kërkojnë punë, por në përgjithësi, në masë të rëndësishme dhe në afat të gjatë, kjo nuk do ta ndihmojë popullin. Vetëm kush gjen punë, atij do t’i ndihmojë, por këto janë raste individuale”, tha Markoviq.

    Sido që të jetë, angazhimi i Komisionit për pranimin diplomave është i kufizuar në afatin prej 1 vjet.

    Duke u nisur nga ky fakt, të gjithë studentët serbë që kanë diplomuar në të ashtuquajturin Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, të cilët janë të interesuar të punojnë në institucionet e Kosovës, duhet t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme tek organet kompetente, para përfundimit të muajit maj, të vitit 2017. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark