
Drejtori i Doganave Gent Gazheli është përfshirë prej ditës së djeshme (21 korrik) në një përplasje me botuesin e madh Irfan Hysenbelliu, pas dokumenteve që ka nxjerr media në pronësi të këtij të fundit, për punësimin në dogana të zyrtarëve të hetuar në Greqi për kontrabandë.
Bëhet me dije se Artur Sejati me detyrë aktuale drejtor i hetimit doganor rezulton se është në ndjekje penale nga drejtësia greke, pasi në bashkëpunim me katër persona të tjerë janë ndaluar nga policia në 30 qershor të vitit 2016, teksa shoqëronin dy kamionë me mallra të grabitura në vendin fqinj.
Nën hetim janë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të doganave, Klandi Malaj, Mirel Beshiku dhe Elton Gishti. Mirëpo edhe këta zyrtarë muajt e fundit janë emëruar në detyrë. Klandi Malaj, nga specialist hetimi është emëruar në 20 prill të këtij viti përgjegjës i zyrës së Hanit të Hotit.
Po në 20 prill të këtij viti Elton Gishti nga specialist hetimi është emëruar përgjegjës i zyrës mjaft të rëndësishme të sheshit të trageteve në Durrës. Ndërsa, Mirel Beshiku me urdhër të Genti Gazhelit me 27 qershor të 2022 nga përgjigjes sektori të drejtoria e tarifës ka kaluar specialist tek zyra e mbikëqyrjes te magazinave fiskale në Fier.
Media News 24 ka publikuar dhe dokumentet përkatëse për këto emërime që ajo i konsideron skandal. Menjëherë pas kronikës së televizionit në fjalë, ka reaguar dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganave Gent Gazheli. Ky i fundit nuk ka folur për punësimet që ka denoncuar media, por ka thënë se po sulmohej për shkak të një gjobe që i kishte vënë një kompanie në pronësi të Hysenbelliut.
“Dua të ndaj me publikun dhe aktorët e interesit që shërbehen nga dogana shqiptare, se sulmi mbi mua nga një media e caktuar, vjen menjëherë pasi një biznes i pronarit të medias në fjalë është gjobitur për evazion fiskal. Mbase kjo është koincidencë, por ky sulm mbi një çështje të pretenduar si problematike të vitit 2016 dhe mbi persona që punojnë në doganën shqiptare prej shumë vitesh, targeton personin tim pa asnjë fakt apo provë”, shkroi Gazheli.
Media News 24 nguloi përsëri ditën e sotme të merrte një përgjigje nga numri një i Doganave, duke nxjerr dhe dokumente të tjera në gjuhën greke, me firmë dhe me vulë, që provonin se personat e sipërpërmendur ishin nën hetim për kontrabandë. Në këto kushte, Gent Gazheli bëri një reagim të dytë ku përmendte me emër botuesin Irfan Hysenbelliu.
Përsëri drejtori i Përgjithshëm i Doganave nuk reagoi për dokumentet që publikoi media. Reagimi i Gazhelit u shpërnda dhe nga kryeministri Edi Rama. Përfshirja e kreut të Qeverisë në këtë përplasje mes Gazhelit dhe Hysenbelliut i dha një tjetër hov akuzave. Media në pronësi të botuesit të njohur e konsideroi përfshirjen e Ramës si “marrje në mbrojtje të drejtorit të vetë”.
“Irfan Hysenbelliu është betuar që nuk do të m’i falë borxhet që i ka shtetit! Mediat e tij janë hedhur në një sulm personal me shpifje e fyerje personale, sapo “Birra Tirana” ka marrë gjobën e merituar sipas ligjit për fshehje të ardhurash në një shumë të konsiderueshme”, shkroi ndër të tjera Gazheli. Ky mesazh u publikua dhe nga Edi Rama.
“Pyetja ime është: Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar, nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!”,- shkruante kryeministri.
Në këtë kushte, media ju përgjigj të dyve duke thënë se ishte duke bërë detyrën dhe kërkonte nga kreu i Doganave një përgjigje për zyrtarët që ai kishte promovuar me ngritje në detyrë, në një kohë që janë nën hetim nga një vend i Bashkimit Europian. Edhe nga kryeministri u kërkua që të mos cilësohej si shpifje kronika me dokumente të palës greke, por që drejtori i tij të jepte përgjigje.
Duke parë reagimin e medias dhe dokumentet që ajo publikoi përsëri sot, Edi Rama tgha se nuk kishte asnjë personale, por ata News 24 duhet të kishte pasqyruar dhe reagimin e Gazhelit. Madje, kryeministri duket se pati një reflektim pas kronikës së medias, duke thënë “Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare…”
Tashmë, mbetet që vetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të vihet në lëvizje për rastin, e nxitur dhe nga kryeministri Edi Rama pas dokumenteve të homologëve grekë që u publikuan në kronikë.