Gazeta Insajderi
Të premten e 9 tetorit të vitit 2020, në ora 12:41, ishin ekzekutuar mbi 2 milionë euro, në mënyrë ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur për vetëm tetë minuta, sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit.
Pagesat ishin kryer nga i dyshuari kryesor, Labinot Gruda, i cili vazhdon te jetë në paraburgim, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, si nisi një përplasje mes avokatëve të të dyshuarit kryesor?
Veton Rrecaj më 2020 ishte paraqitur në media si avokat i Labinot Grudës, ish-zyrtarit të Thesarit, i cili dyshohet se ka vjedhur mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Atë kohë duket se familja e të dyshuarit e kishte kontestuar Veton Rrecajn për avokat.
Për rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove, familja e Labinor Grudës kishte autorizuar dy avokatë të tjerë, Selman Bogiqin dhe Tahir Rrecajn.
“Lidhur me autorizimet që ia ka dhënë familja e Labinot Grudës, ju njoftoj se unë Selman Bogiqi dhe Tahir Rrecaj jemi avokatë të të dyshuarit Labinot Gruda, ndërsa sa i përket avokatit që gjendet në studion tuaj atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar me sms nga vëllai i Labinot Grudës i cili e ka njoftuar se ai nuk është më avokat i vëllait të tij. Neve po na habit se si është e mundur që të paraqitet kur për këtë fakt është i njoftuar shumë mirë. Sot unë dhe kolegu im Tahir Rrecaj kemi pranuar dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë të cilat avokati që gjendet aty nuk i ka – një urdhër ndalues dhe urdhërese për sekuestrim të përkohshëm të gjësendeve”, pati thënë Bogiqi më 27 tetor 2020 në Rubikon të Klan Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Këtë gjë po e kundërshtonte Veton Rrecaj, i cili pati treguar se ai është autorizuar nga vetë Labinot Gruda që është në moshë madhore dhe revokimi i autorizimit të tij thotë mund të bëhet vetëm nga ai, e jo nga familja.
“A është më i fuqishëm tërheqja e autorizimit nga familja, apo nga vetë i dyshuari në moshë madhore i cili më ka dhënë vetë autorizimin? Unë si avokat kam edhe obligime. Nuk mund të mos e përfaqësoj të njëjtin në vazhdim të procedurës derisa në mënyrë formale juridike të më ofrohet një revokim nga i njëjti. Unë nuk kam revokim të autorizimit nga Labinot Gruda”, i përgjigjej atë natë në debat Rrecaj, Bogiqit, shkruan Gazeta Insajderi.
Bogiqi insistonte në vazhdimësi se Rrecaj nuk e përfaqësonte Grudën dhe se i njëjti nuk mund të jepte asnjë deklaratë lidhur me këtë rast.
Menjëherë pas këtij veprimi, avokati Veton Rrecaj ishte ankuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor në Odën e Avokatëve të Kosovës ndaj avokatëve Selman Bogiqi dhe Tahir Rrecaj.
Ky institucion, dy vjet më pas, në gusht të këtij viti, ka marrë një vendim mbi çështjen Veton Rrecaj-Selma Bogiqi-Tahir Rrecaj.
Fletëparaqitja e avokati Veton Rrecaj është aprovuar nga OAK dhe Selman Bogiqi është shpallur përgjegjës, duke u dënuar me 700 euro, ndërsa Tahir Rrecaj i është parashkruar lënda lidhur me shkeljen e tij.
“Nga provat e dorëzuara, nga marrja në pyetje e të paraqiturve u vërtetua se të njëjtit kanë bërë shkelje disiplinore ku kanë pranuar të autorizohen në përfaqësim të palës e cila kishte avokat paraprak”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.
“Kurse Selman Bogiq është inkuadruar më 27.10.2020 në Klan Kosova në emisionin Rubikon dhe e ka njoftuar avokatin Veton Rrecaj dhe opinionin e gjerë se i njëjti nuk është avokat i autorizuar pa e informuar kolegun paraprakisht, andaj Zyra e Prokurorit Disiplinor kërkon që të njëjtit të shpallen përgjegjës dhe t’ju shqiptohet masa konform normativës se OAK”, thotë tutje vendimi, shkruan Gazeta Insajderi.
Për çka akuzohen të dyshuarit e vjedhjes së Thesarit të Shtetit
Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2021 e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të cilët ngarkohen se i shkaktuan dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” , në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale: “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.
“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.
Ashtu që sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.
Kurse, Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.
Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshmem fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë.
Komunikimet interne të Ministrisë së Infrastrukturës zbulojnë se si u zhduken paratë
Gazeta Insajderi pati raportuar mbi korrespodencat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës që zbulojnë rrjedhën e zhdukjes së 2 milionë eurove.
Zyrtari Kryesor i Financave, sipas e-maila-ve të siguruara nga Gazeta Insajderi, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.
Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të ministrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.
I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transaksionet e mijëra eurove.
Ky i fundit, zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i vitit të kaluar ishte transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.
Që nga ajo kohë, kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar.
Lexo edhe: