Pas shkarkimeve të fundit në Ministrinë e Infrastrukturës Policia e Kosovës gjendet në objektin e kësaj ministrie.
Pas përplasjes për mbizotërimin e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së mes dy sekretarëve – Izedin Bytyqit të shkarkuar dhe Zymer Abdullahut të sapoemëruar -, organet e rendit kanë intervenuar në selinë e ministrisë.
Në një fotografi të publikuar nga Reporteri, forcat e policisë shihen brenda objektit të ministrisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi u shkarkua nga pozita të hënën.
Menjëherë pas shkarkimit të Bytyqit, ministri Abrashi emëroi Zymer Abdullahun në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Por, sekretari i shkarkuar Izedin Bytyqi, u rikthye në punë të martën, një ditë pas shkarkimit nga pozita. Vendimin e ministrit Abrashi e anuloi kolegu i tij partiak, ministri Agim Veliu.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), e udhëhequr nga Veliu, ka anuluar të martën vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës (MI) për shkarkimin e Bytyqit.
Në vendimin e MPBAP, thuhet se ministria e udhëhequr nga Veliu e ka konsideruar të kundërligjshëm vendimin e nxjerrë të hënën të MI-së për shkarkimin e Bytyqit nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, ka mësuar Gazeta Insajderi nga burime brenda qeverisë.
Ky vendim i nënshkruar nga Agim Veliu e futi në telashe Ministrinë e Infrastrukturës të mërkurën kur sekretari i ri Abdullahu, refuzoi t’ia lëshonte zyrën sekretarit të vjetër Bytyqi.
Në rrethana të reja të krijuara, Izedin Bytyqi raportohet ta ketë denoncuar rastin në Policinë e Kosovës të mërkurën.
Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar ende nëse ka pasur një denoncim për rastin, pavarësisht insistimit të Gazetës Insajderi për të marr një përgjigje nga Zyra për Media e policisë. /Insajderi.org