Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se çështja e Trepçës është punë e kryer tashmë dhe se të gjithë duhet të pajtohen me vendimin e kuvendit.
Lideri i PDK-së e ka porositur Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqin, “që të mos merret më me këtë punë”.
Gjuriq, ka thënë sot se Qeveria serbe ka marrë një qëndrim politik, por ajo duhet të miratojë edhe një vendim formal për ta shpallur të pavlefshëm vendimin e institucioneve të Kosovës për, siç e ka quajtur ai, “konfiskimin e Trepçës”
Mirëpo, deklarata e Gjuriqit nuk i ka bërë përshtypje Veselit, raporton Gazeta Online Insajderi.
Ai ka thënë për Klan Kosova se ligji për Trepçën ishte më i miri i mundshëm dhe se është i favorshëm për rifunksionalizimin e gjigantit metalurgjik të Kosovës.
Ndërsa për komentet e Ministrit Serb në Qeverinë e Kosovës Ljubomir Mariq, se lista serbe mund ta braktisë koalicionin qeveritar, Veseli nuk i ka komentuar fare.
Këto deklarime, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka bërë nga Llapushniku, ku mori pjesë në shugurimin e kishës katolike “Shën Abraham”. /Insajderi.com