
Momente tensioni janë përjetuar gjatë ndeshjes Sivaspor-Göztepe, kur sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj, humbi ndjenjat pas një përplasjeje të fortë me një lojtar kundërshtar.
Ngjarja ndodhi në minutën e 3-të të ndeshjes, kur Manaj u përplas kokë më kokë me një mbrojtës të Göztepe.
Pas përplasjes, ai mbeti i shtrirë në fushë, duke shkaktuar panik te lojtarët dhe tifozët.
Stafi mjekësor i Sivasspor ndërhyri menjëherë dhe pas ndihmës së parë, futbollisti u transportua me ambulancë për në spital për kontrolla të mëtejshme.
Gjendja e Manajt pas incidentit
Në një njoftim zyrtar, klubi turk bëri të ditur se Rey Manaj ka rikthyer vetëdijen pas mbërritjes në spital dhe se është i vetëdijshëm. “Futbollisti ynë humbi ndjenjat si pasojë e një përplasjeje me një lojtar kundërshtar në minutën e 3-të të ndeshjes ndaj Göztepe.Pas ndërhyrjes së parë të ekipit tonë mjekësor, ai u dërgua me ambulancë dhe tani është i vetëdijshëm. Pas përfundimit të analizave, do të ndahen informacionet për gjendjen shëndetësore të tij”, thuhet në reagimin e klubit.
Një video e publikuar nga Sivasspor tregon momentet kur Manaj mbërrin i ndërgjegjshëm në spital dhe ka filluar marrjen e mjekimeve të nevojshme.