
Petrit Hajdari, kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ramiz Lladrovcit, i cili në një emision televiziv e lidhi atë me Sami Lushtakun.
Në një reagim të gjatë publik, Hajdari i bëri thirrje kryetarit aktual që të mos fshihet pas figurave të tjera politike dhe komunave të tjera, duke theksuar se gara është e drejtpërdrejtë mes tyre dhe se ai pret ta mposhtë Lladrovcin që në raundin e parë.
“Ka kaluar koha që me insinuata të tilla merret vota. Garën e ka veç me mua dhe humbja e pret prej meje edhe atë në raundin e parë”, ka deklaruar ai.
Hajdari shtoi se është pjesë e PDK-së që nga themelimi dhe ka qenë vazhdimisht kandidati më i votuar në Drenas, duke përmendur se në zgjedhjet e fundit mori mbi 9 mijë vota. Ai theksoi se nuk ka komunë tjetër dhe se Drenasi ka qenë dhe do të mbetet përkushtimi i tij i vetëm politik.
Sipas tij, kryetarin aktual e ka kapur paniku për shkak të dështimeve në qeverisje dhe thirrjes së qytetarëve për ndryshim.
Hajdari premtoi se, në momentin që PDK zyrtarizon kandidaturën e tij, do të prezantojë një program gjithëpërfshirës që do të shërbejë për të gjithë qytetarët e Drenasit./Insajderi