Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin e vrasjes së 31 vjeçarit nga Kukësi në afërsi të lokalit “Kobra City”. Prokurorja e rastit, Nazan Shero, ka thënë për Insajderin se janë në fazën e hetimeve fillestare dhe po intervistohen pesë të dyshuar.
“Rreth orës 5 të mëngjesit kemi marrë informatat e para për rastin. Mandej kemi marrë informacione nga Kukësi për një të vdekur dhe një të plagosur. Janë duke vazhduar hetimet” .
Policia e Kosovës ka konfirmuar se personi i ndaluar si i dyshuar për rastin është Dibran Hoxhaj, pronar I lokalit “Kobra City”, ndërsa nga prokuroria thonë se katër personat e tjerë janë pjesë e stafit të lokalit.
“Informacionet e para janë se janë pjesë të stafit. Tash a janë kamariera apo garda ende nuk e di me saktësisht”, tha prokurorja Shero.
Si ndodhi vrasja
Sot në orët e para të mëngjesit, nga të shtënat me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçar dhe një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri, në një lokal në Prizren.
Dyshohet se biznesmeni Dibran Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri drejt tre të rinjve nga Kukësi, teksa ata ishin duke u larguar me makinë nga lokali.
Plumbat kanë prekur dy prej të rinjve, ndërsa i kanë marrë jetën Visart Cengut dhe kanë plagosur Rufgen Shehun.
Visart Cengu është 31 vjeçari që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kukësit. Ndërsa Rufgen Shehu sipas policisë ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Shoku i tyre, Arben Basha ka deklaruar në polici se ndaj tyre ka qëlluar Dibran Hoxhaj në momentet që ata po largoheshin me automjet nga lokali.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pronari i lokalit Kobra City, Dibran Hoxhaj është arrestuar, pasi dyshohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Insajderi se së bashku me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruara edhe pesë persona të tjerë.