Shkruan: Bedri Halimi
Pas dëgjimit të rrëfimeve në formë monologu të UDB-ashit Mehmet Loci në Tv Dukagjini, në emisionin “Debat Plus” nuk mund të mos i them disa fjalë.
1. Së pari është pritur që dalja e Mehmet Locit në Tv, ka vetëm një qëllim: që ta shpërlaj të kaluarën e vet të errët brenda UDB-së.
2. Për këtë qëllim, është pritur që Mehmet Loci të tentoj që të bëj shantazhe. Prandaj thotë: që të burgosurit politikë e paskan lajmëruar vet njëri – tjetrin; Është pritur që do të thotë se në të gjitha grupet që janë marrë me vepritmari të fshehta patriotike kundër padrejtësive të politikës jugosllave, ku sipas tij në secilin grup UDB-ja ka infiltruar njerëz të vet. Këtu nuk përjashtohet mundësia që jo vetëm UDB-ja por çdo shërbim informativ të mundohet për të bërë infiltrimin e njerëzve të vet, aty ku ka mundësi. Por të konkludosh se kjo ka qenë kaq masive, këtë nuk e ha njeri. Natyrisht zbulimi i aktivistëve të grupeve dhe organizatave të ndryshme është bërë gjatë aktivitetit, prandaj edhe në shumë raste janë burgosur segmente të caktuara, apo hallka të caktuara të zingjirit të këtyre organizatave dhe jo e tërë organizata. Prandaj pretendimet e Mehmet Locit në këtë pikë nuk pinë ujë, sepse veprimtaria e grupeve të fshehta e ka vazhduar aktivitetin.
Mehmet Loci gjatë rrëfimit të tij përdori edhe kërcnimin “preventiv” se unë jam nën mbrojtje të jashtme e të brenshme. Këtë e bëri me qëllim për të kuptuar se ky na qënka përson me rëndësi. Çka ju dasht kjo thënje Mehmet Locit, kur askush, që sa kohë, nuk është marrë fizikisht me të përsonalisht? Ashtu siç nuk janë marrë ish – të burgosurit politik me asnjërin nga ish – UDB-ashët, duke mos bërë hakmarrje përsonale. Më shumë kjo flet për frikën që ndjen brenda vetes Mehmet Loci, ngase është i vetëdijshëm për përdorimin ekstrem të kërbaqit që ka bërë ndaj të gjithë të burgosurve politikë që i ka takuar qoftë në procedurë të punës së drejtpërdrejt me ta, qoftë edhe rastësisht si asistues.
3. Gjatë rrëfimeve të tij Mehmet Locin e tradhëtoj “profesionalizmi dhe profesioni”, kur ju drejtua Ermal Pandurit duke i thënë se: Burimet e mia të informimit më tregojnë se Nasim Haradinaj të ka propozuar që ta marrësh në emision, por ti nuk ke pranuar. Këtu udhëheqësi i emisionit ia dha përgjigjen që burimit tënd të informacionit i thuaj se po “rrejshe”…
4. Mehmet Loci është pritur që të pranoj që dikë e ka torturuar, duke u munduar ta minimizoj atë torturë në nivelin e flakareshave. Por kjo është pritur që ta bëj me ndonjërin nga ish të burgosurit që ia kanë përmendur emrin në emision. Por çuditërisht Loci këtë nuk e bën, por e bën të kundërtën: mohon çdo gjë. Pra mohon madje edhe që i ka takuar këta të burgosur apo që i ka marrë në pyetje, e as që ka patur punë me ta. Dhe si rrjedhojë, sipas tij asnjërin nga këta nuk e ka prekur me dorë e lërë më ta ketë torturuar! Kush e beson këtë marrëzi? Si ka mundësi që disa të burgosur të ta përmendin emrin që ke përdor dhunë ndaj tyre, ndërkohë që të gjithë këta të burgosurit nuk i kanë takuar një grupacioni politik. Pra si ka mundësi që të gjithë këta të gënjejnë, ndërkohë që nuk e përmendin vetëm emrin e Locit, por edhe emrat e UDB-ashëve të tjerë duke e përshkruar në hollësi se si janë torturuar?
5. Loci çuditërisht i ngatërron edhe emrat e njerëzve të cilëve pranon se ua paska dhënë ndonjë flakareshë, pra nuk i kujtohen mirë emrat e këtyre që paska patur punë me ta, ndërkohë që të gjithë isht të burgosurit që pohojnë se Mehmet Loci ka përdorur dhunë ekstreme ndaj tyre, Locit çuditrisht i kujtohen mirë të gjithë këta emra, por deklaron se ndaj asnjërit prej tyre nuk ka paska ndërmarrë asnjë veprim fizik.
6. Loci u mundua që të lansoj mjegull, duke provuar të konkludoj se të gjithë të burgosurit politikë janë përpunuar nga shërbimi i sigurimit shtetëror, për të lënë për tu nënkuptuar se të gjithë të burgosurit politikë që janë dënuar, qënkan thyer gjatë hetuesisë dhe se qënkan bërë bashkëpunëtor të UDB-së! Por edhe përkundër kësaj, që këtë u mundua ta thotë në mënyrë mjeshtërore, gazetari Ermal Panduri si udhëheqës i emisionit reagoi duke kërkuar qoftë është një emër konkret që është bërë bashkëpuntor i UDB-së ndonjë ish i burgosur pasi që është dënuar. Pastaj i zënë ngushtë në këtë pyetje konkrete, Loci si “notar i mirë në ujrat e të gjitha kohërave” u tërhoq duke thënë se shërbimi i sigurimit shtetëror i ka përcjellë sjelljet e të gjithë të burgosurve në të gjitha burgjet, ku në ndonjë rast kudo ku i është dhënë mundësia ka mundur ta bëj përvetësimin e ndonjë të burgosuri politik apo edhe të burgosurve ordiner.
7. Loci tregoi edhe anën tjetër të errët të shpirtit të zi të UDB-së ku pranoi vet se ka marrë pjesë me bexh fallso, gjoja se është gazetar i akredituar i Tanjugut në seancat e ndryshme gjyqësore. Dihet mirëfilli se prania e punëtorëve të UDB-së në seancë gjyqësore, është e pa pranuar, ngase konsiderohet se UDB-ashët e kanë kryer punën e vet në periudhën e hetimit. Jo vetëm kaq! Prania e UDB-ashëve ishte e padëshiruar edhe para gjykatësit hetues si dhe para prokurorit. Prandaj prej nga e drejta qoft edhe me bexh e Mehmet Locit për të marrë pjesë në seanca të gjykimeve politike?
8. Gjatë rrëfimeve të Mehmet Locit, vërehej pasiguri, sepse i vetëdijshëm se ka rrahur shumë njerëz, nuk ishte i sigurt se çfarë do ti servohej nga udheheqesi i emisionit përmes videove. Këtë fundja e dëshmoi edhe vet tentimi i udheheqësit të emisionit Emral Panduri për ta lexuar ndonjë pjesë nga postimi i po atë ditshëm i ish të burgosurit Haki Morina. Këtu përmes insistimit të Locit, u pa “forca” e tij, që tregon se paraprakisht ka kërkuar ndonjë kusht për të marrë pjesë në këtë emision. Prandaj gazetari ia plotësoi dëshirën Locit, duke mos e lexuar asnjë pjesë të postimit të Haki Morinës.
9. Mehmet Loci jo vetëm që u mundua të shfajsoj vetvetën por ai u mundua ti shfajsoj të gjithë punonjësit e shërbimit të UDB-së. Për asnjërin nuk e tha asnjë fjalë. Kur pyetej për ndonjë të burgosur se si është trajtuar, Loci deklarohej duke i ikur përgjigjes e duke thënë se nuk e kam patur unë lëndën e tij në dorë, dhe nuk mund të them asgjë për punën e dikuj tjetër që sipas tij kur e ka trajtuar, jo vetëm që s’paska marrë pjesë, po as nuk ditka gjë për atë lëndë. Ndërkohë që për një ngjarje të një vrasjeje të rastësishme nga një UDB-ash, Loci nuk u deklarua që nuk ka njohuri, por u deklarua duke u paraqitur se i din edhe detajet e këtij rasti, i cili ka përfunduar me ndrrimin e vendit të punës të kryersve të kësaj vepre.
10. Loci u mundua që veten ta mbroj edhe përmes burgosjes që i qënka bërë në vitin 1994. Por të gjitha rastet e ngritura në këtë emision për të cilat bën fjalë, jo vetëm që të bën të dyshosh, por edhe të bën të kuptosh, se misioni i Locit akoma nuk ka përfunduar. Këtë katërcipërisht e vërteton edhe gjendja emocionale e shpirtërore e Locit I cili gjatë kohës së rrëfimeve të tij, shpeshherë emocioniet e tradhëtonin, duke i dalë në pah urrejtja patologjike që ndjen në shpirt ndaj ish të burgosurve politikë.
11. Mjerë për Kosovën, mjerë për ato institucione që kanë kërkuar ndihmë profesionale nga Loci. Në këtë emision, kategoria e njerëzve të UDB-së përfundimisht pësoi fiasko me paraqitjen e Locit në opinion. Ky ishte i pari dhe i fundit që mund të dilte për tu munduar për të arsyetuar gjëra që nuk mund të arsyetohen. Është thënë nga të gjithë të burgosurit se hakmarrje individuale nuk është kërkuar nga askush. Por falje nuk mund të bëj asnjë i burgosur për asnjë UDB-ash. Të gjitha çështjet janë kompetencë dhe duhet të jenë kompetencë e institucioneve shtetërore.