Personi prapa kamerës që fotografon artitekturën moderne - Insajderi
×
Kulturë

Personi prapa kamerës që fotografon artitekturën moderne

Insajderi
26 January 2021 - 12:13
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Leonit Ibrahimi që nga mosha 14 vjeçare ka filluar të zhvillojë pasionin e tij të fëmijërisë, fotografimin e objekteve, një profesion që është duke u rritur viteve të fundit. Ibrahimi, tash e disa vite e ka shndërruar pasionin e tij në profesion, duke fotografuar me mijëra objekte të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Turqi dhe vende të ndryshme të Evropës.

Leoniti, 25 vjeçar, është i lindur në Prishtinë, aty ku edhe po e zhvillon profesionin e tij.

Pasi përfundoi shkollimin, ai vazhdoi të merret më shumë me këtë profesion duke hapur edhe kompaninë e tij “Creativefields”.

Në një bisedë për Insajderin, Leoniti shpalosi planet e tij të mëdha që ka për vitet e ardhshme.

“Që nga fëmijëria jam marrë me këtë profesion, aparati më është bërë pjesë esenciale e jetës. Vit pas viti jam rritur profesionalisht, tashmë fal punës së madhe e shumë sakrificave, unë kam hapur kompaninë time që quhet “Creativefields”.

Ibrahimi tutje deklaroi se në këtë profesion ka studiuar punwn e Fernando Guerra.

Dy projekte të Leonitit janë të nominuara për çmimin evropian “European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe Award 2022”. Fituesi i këtij çmimi do të shpallet në vitin 2022.

Më poshtë intervista e plotë:

Kur keni filluar të merreni me fotografimin e arkitekturës?

 Kam bërë fotografi që kur kam qenë shumë i ri, por kurrë nuk kam menduar se në të ardhmen do të fotografoj arkitekturën ose ta mendoja si profesion. Në atë kohë fotografoja vazhdimisht personazhe ku edhe kisha dëshirë që në të ardhmen të jem një fotograf profesional i modës. Kur kam verejtur se bukuria e arkitektures qëndron edhe tek menyra se si ajo prezantohet dhe se kjo mund të arrihet me një shkrepje të duhur të aparatit fotografik, kam filluar të aplikoj ndërthurjen e tyre në profesionin tim .

Nga ka lindur dëshira për të fotografuar arkitekturën?

Ka ndodhur në mënyrë shumë të natyrshme. Kjo pasi qe kam filluar të punoj në moshen 17 vjeçare si dizajner grafik në një studio të dizajnit, ku pjesë e ekipes ishin edhe dy arkitekt të diplomuar dhe të cilët më prezantonin me projekte të ndryshme nga arkitekt të famshëm. Fotografia ishte ajo që e shfaqte tërë bukurine e tyre dhe nga aty më lindi një dëshirë që projekte e tilla të jenë pjese edhe e fotografive të mija.

Çfarë ju inspiron më së shumti për të fotografuar arkitekturën?

Si fotograf ne frymëzohemi nga shumë gjëra, të cilat nganjëhere për të tjerët duken aq të zakonshme, por prej të cilave ne arrijmë të nxjerrim tërë bukurine qw i karakterizon e t’a ngrijmë për një moment në kohë. Por specifikisht ajo që më frymëzon më së shumti është ndjesia kur qëndron para aparatit fotografik dhe ke përpara pamjen nderlidhese mes njerëzve dhe ambientit, dhe je një moment larg që këtë pamje t’a kesh gjithmonë me vete.

A keni marrë pjesë në ndonjë garë fotografie?

 Kur kaloj pranë një projekti them të njejtën gjë me arkitektin që e ka projektuar: “Unë e bëra atë”. Në këtë rast, duhet të veçohet projektin “AMERICAN SCHOOL OF KOSOVO” të projektuar nga MadenGroup dhe të fotografuar nga unë, projekt ky që ka fituar çmime të shumta e ku vlen të përmendet WIN AWARD në kategorinë Learning në Londër dhe MASTERPRIZE në Bilbao, gjithashtu edhe në Spanjë është publikuar në disa portale me renome botërore të arkitekturës.

Në gara fotografie kam marr pjesë por mendoj se garimi nuk është dicka që duhet të potencohet tek fotografët, pasi që të gjith ne shfaqim një kënd tjetër të asaj që të gjith e shohin njësoj, prandaj jemi unik në atë që shfaqim.

Cilat janë disa nga fotografitë që i keni bërë dhe do t’i veçonit?

Gjatë viteve të kaluara dhe projekteve të realizuara, këto jane disa nga fotografitë që vazhdojnë të me japin vullnetin dhe dëshirën për të fotografuar arkitekturë.

Nëse ka diçka të rëndësishme për t’u përmendur dhe nuk është përfshirë në pyetje, ju lutem mos hezitoni të shtoni.

Më e rëndësishmja, është lumturia dhe pasioni për punën që bëj. Në fund të çdo projektit të kesh fotografi të bukura që qëndrojnë me ty përgjithmonë, është ndjenja më e mirë. /insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark