Personi që incizoi njerëzit e shtetit, Halit Sahitaj ishte dënuar për falsifikim të dokumenteve në vitin 2005 – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Personi që incizoi njerëzit e shtetit, Halit Sahitaj ishte dënuar për falsifikim të dokumenteve në vitin 2005

    Insajderi
    05 August 2021 - 21:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Biznismeni i dyshuar për lidhjet me Shërbim Sekret të Rusisë, Halit Sahitaj, i cili incizoi në mënyrë të paautorizuar njerëzit e sistemit të intelegjencës dhe drejtësisë në vend, ka të kaluar kriminale edhe në Kosovë, ku i njëjti kishte qenë i dënuar për falsifikim të dokumenteve, shkruan Insajderi.

    Sahitaj, i cili sipas burimeve të Insajderit është personi i cili ka incizuar shefin e Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe gjyqtarë dhe prokurorë nga sistemi i drejtësisë së Kosovës, ka qenë i dënuar në vitin 2005 nga Gjykata Komunale e Prishtinës për veprën penale “Falsifikim i dokumentit nga neni 332 par.3 i Kodit Penal të Kosovës”.

    Halit Sahitaj ishte kapur me dokumenta false në vitin 2001, duke kaluar zonën kufitare në Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, me qëllim të udhëtim drejt Stambollit. Sahitaj kishte prezantuar pasaportë jugosllave (nr. 001202956), dhe letërnjoftim e patentshoferi belge, të cilat pas analizës laboratorike ishin konstatuar se ishin të falsifikuara.

    Në aktgjykimin e Gjykatës Komunale e Prishtinës, që mban datën 11.11.2005, Halit Sahitaj ishte dënuar me 800 (tetëqind) euro, pasi çertifikata e laboratorit të krimeve kishte provuar përtej çdo dyshimi se Sahitaj kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të kaluar kufirin.

    Kush është Halit Sahitaj, i dyshuari për lidhje me Shërbimin Sekret të Rusisë?

    Halit Sahitaj është një biznesmen nga Kosova me aktivitete biznesore në Rusi dhe Kinë. Ai posedon pasaportë të Republikës së Serbisë dhe i dyshuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) si spiun i Rusisë në Kosovë.

    Disa kohë më parë, Halitaj ka qenë nën vëzhgimin e AKI-së mbi dyshimet për aktivitete kriminale si spiunazhi dhe pastrimi i parave, bazuar në një dokumentar të publikuar nga emisioni hulumtues InDoks dy vjet më parë.

    I kontaktuar nga emisioni dokumentar InDoks më 2019, Halitaj kishte komentuar mbi dyshimet e ngritura të AKI-së ndaj tij për spiunazh dhe aktivitete të tjera të dyshuara kriminale të tij. Kishte komentuar edhe mbi pasaportën serbe të tij, si dhe fotografinë e ‘famshme’ ku shfaqej përkrah Kadri Veselit e ‘Currit’.

    Halitaj kishte zbuluar se fotografia ishte shkrepur diku në Mitrovicë, dhe ishte aty me një familjar të tij që i tha se po “dalim në fotografi me disa njerëz të rëndësishëm”, por ai kishte mohuar t’i njihte personalisht Currin, Veselin e Lushtakun.

    Ndërkaq për posedimin e pasaportës së Republikës së Serbisë, ai i kishte thënë InDoks-it se “pasoshin serb e mbaj se Spanja, ku unë jetoj, nuk e njeh Kosovën”.

    Kujtojmë që portali i sapokrijuar “Shqip.com”, i cili ka publikuar përgjimet e krijuara nga i dyshuari si spiun rus, Halit Sahitaj, është krijuar nga Ardian dhe Florim Alaj, persona të akuzuar dhe në kërkim të cilët kanë sulmuar dhe e kanë marrë në kontroll domenin e Gazetës Insajderi, Insajderi.com.

    Për këtë veprimtari ilegale, ka një aktakuzë dhe dy vendime të formës së prerë të gjykatave që obligojnë të akuzuarit ta kthejnë domenin.

    Deri tash organet e shteti nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për t’i detyruar të akuzuarit që t’i zbatojnë vendimet e gjykatës./Insajderi.org/




    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark