Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacioni të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra, deputetë, kryetari i Komunës së Ferizajt dhe shumë qytetarë e ambientalistë nga Ferizaj e më gjerë.
Kryeministri Mustafa tha se Dita Botërore e Mjedisit flet për ndërgjegjësimin e njerëzimit për kujdes ndaj planetit dhe ndaj mjedisit si dhe marrjen e përgjegjësive për mjedisin.
“Edhe motoja e kësaj dite është që ne të kujdesemi për vendin tone, të kujdesemi për planetin dhe të marrim përgjegjësinë për të. Është edhe ditë e njerëzve sepse është në vullnetin e tyre, në përgjegjësinë e tyre, që ata të marrin masa pozitive që të përmirësojnë ambientin në të cilin jetojnë”, tha kryeministri.
Më tej, Mustafa tha se Bifurkacioni i Nerodimes është një monument shumë i veçantë për Kosovën
“Këtu në ndarjen e këtij lumi në dy lumenj, të cilët na qesin pastaj në dy dete të ndryshëm, në Detin Egje dhe në Detin e Zi, është një rast i veçantë i cili është këtu tek ne në Kosovë. Ne kemi dëshirë që ta kultivojmë, ta mbajmë mirë, të zhvillojmë turizëm, të krijojmë kushte që njerëzit të vijnë dhe ta vizitojnë sepse vërtetë meriton vizita dhe meriton kujdes”, tha Mustafa, transmeton “zeri.info”.
Ai, më tej tha se këto investime tani duhet të rikthehen dhe t’u jepet vlera e tyre.
“Të punojmë dhe të japim shembull të mirë se si duhet të kujdesemi në mënyrë që mjedisin ta bëjmë më të përshtatshëm për njerëzit, për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe për ardhmërinë tonë”, tha kryeministri Mustafa.
Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se Dita Botërore e Mjedisit është një datë e veçantë për Kosovën sepse është ditë kur mund të shpalosen të gjitha vlerat e mjedisit të Kosovës. /Insajderi.com