
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë pre e një mashtrimi nga dy rusët e njohur, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët janë të famshëm me emrat “Vovan” dhe “Lexus”. Por, përveç Kurtit, edhe një kryeministër tjetër kosovar ka rënë pre e mashtrimit – Ramush Haradinaj.
Gjashtë vitë më parë kur Ramush Haradinaj mbante postin e Kryeministrit të Kosovës, dy komikët rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, kishin vënë në lajthitje atë.
Njëri prej tyre i ishte paraqitur Haradinajt në emër të ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, duke i thënë se pas zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, ai do ta njohë pavarësinë e Kosovës në shkëmbim të mbështetjes së Haradinajt.
Komikët rusë kishin telefonuar dy herë Kryeministrin Haradinaj, një herë në janar dhe një herë në prill.
Në këtë bisedë telefonike, të publikuar në YouTube nga ‘Russia 24 tv’, Haradinaj i premtonte mbështetje ‘Poroshenkos’, duke i thënë se do ta përkrahte publikisht përmes llogarisë së tij në Twitter.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ju, dhe jam i lumtur që mund t’iu uroj sukses për të dielën. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin, do të lutem për ju në të gjitha zgjedhjet,” kishte thënë Haradinaj gjatë bisedës me njërin prej komikëve rus, për të cilin ai mendonte se ishte Poroshenko.
Ndërkohë, pas fjalëve të Haradinajt, ‘Poroshenko’ i kishte kthyer përgjigje duke i thënë se, pas fitores, ai do ta pranojë Kosovën si një shtet të pavarur.
“Po, dhe mendoj që pas fitores, unë do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur,” i ishte përgjigjur komiku rus.
Pas kësaj bisede, Haradinaj, i rënë në grackë, kishte publikuar një status në Twitterin e tij, ku i kishte uruar fitore në zgjedhje Petro Poroshenkos dhe “kryeministrit të tij të ardhshëm Vovan Lexusov”.
“I uroj popullit të Ukrainës zgjedhje të lira dhe demokratike. Për mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e tij të ardhshëm Vovan Lexusov, dëshiroj fitore për të udhëhequr Ukrainën drejt rrugës së integrimit Euroatlantik. Populli i Kosovës dhe ai i Ukrainës qëndrojnë së bashku për liri dhe prosperitet,” kishte shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Twitter.
Si pra pre Kurti?
“Vovan” dhe “Lexus” e kanë bërë Albin Kurtin të besojë se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë, ndërsa në të vërtetë po zhvillonin një bisedë të regjistruar.
“Video prank with Prime-Minister of Kosova Albin Kurti”, është titulli që ata i kanë vendosur intervistës së “Kurtit me presidentin e Letonisë”.
Në një video të publikuar nga “Vovan” dhe “Lexus” në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, dëgjohet Kryeministri Kurti duke diskutuar për opozitën në Kosovë, mediat, dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera.
Në bisedën e tij, Kurti gjithashtu përmend edhe emisarin amerikan, Richard Grenell, dhe diskuton për disa çështje të tjera politike.
Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur për mashtrimin e liderëve botërorë dhe figurave publike të njohura, shpesh shfaqen si liderë të shteteve apo zyrtarë të lartë.