Autori i shkrimit është historiani malazez, Srxhan Pavlovic, ligjërues në Departamentin e Historisë në Universitetën e Albertës, Kanadë.
Vëzhgimi se janë tri nivele të mashtrimit: gënjeshtrat, gënjeshtrat e ndyra dhe statistikat është botërisht i njohur. Origjina e kësaj thënie vështirë se mund të përcaktohet, por ka një pajtim të përgjithshëm se kjo frazë u popullarizua nga shkrimtari amerikan Mark Twain.
E vërteta e kësaj thënie konfirmohet së paku një herë në vit në Mal të Zi dhe në Serbi.
Përkujtimi i çdovjetshëm i intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe përkujtimi i viktimave të atyre bombardimeve na rikujton gatishmërinë e elitave sunduese politike për të manipuluar me vuajtjet e njerëzve dhe të ndërtojnë një kujtesë kolektive mbi të cilën mund të shënojnë poena politike.
Bazuar vetëm në hulumtimet e kryera deri më tash, që u përfunduan nga Fondi për Ligjin Humanitar, disa nga faktet në lidhje me viktimat e bombardimeve të NATO-s janë siç vijojnë më poshtë:
Shteti i Serbisë nuk e ka kryer ende punën e përcaktimit të numrin të saktë të viktimave të intervenimit të NATO-s. Më 2022, Parlamenti i Serbisë refuzoi kërkesën për formimin e një komisioni detyra e të cilit do të ishte përcaktimi i këtyre statistikave të përgjakta. Si rezultat i këtij mosveprimi, në Serbi ka narrativa të pabaza rreth numrit të viktimave, i cili rritet çdo vit e më shumë në pajtim me nevojat e elitës sunduese politike serbe. Gjatë viteve të fundit, presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq ia doli të imponojë “statistika të ndjeshme” prej 2 mijë e 500 viktimave të bombardimeve të NATO-s.
Mbështetësit me të njëjtën mendësi të Vuçiqit dhe këmbësoria politike e tij në Mal të Zi e ndjekin atë në këtë marshim dhe përdorin potencialin e madh mobilizues të këtyre statistikave të pabaza në fushatën elektorale të vazhdueshme. Kapërcimi i fundit i RTCG-së (Radio Televizioni i Malit të Zi) duke promovuar tregimin e një numri të madh viktimash shërben si mbështetje zgjedhore për partitë politike pro-serbe, por gjithashtu edhe shërben si kontribut ndaj kësaj shtëpie mediatike për të rrumbullakësuar diskursin politik dhe ideologjik me të pavërtetat që dominojnë sot në Mal të Zi.
Në të dyja këto vende imponohen statistika që nuk mbështeten në fakte të shpalosura nga hulumtimet, dhe kuptimi rreth kësaj ngjarje por edhe i tërë historisë së fundit promovohet ekskluzivisht përmes prizmit të viktimizimit kolektiv të serbëve. Këto statistika kanë utilitet politike dhe vlerë simbolike të madhe. Mbi të qëndron monumenti revizionist dhe negacionist i viktimës kolektive. Autorët e këtij projekti “historik” duan të tregojnë dhe vërtetojnë pa mëdyshje imoralitetin dhe padrejtësinë e ndërhyrjes së NATO-s në atë kohë.
Natyrisht, çdo rrëfim viktimologjik është pjesërisht ose tërësisht i shkëputur nga konteksti më i gjerë, andaj edhe nuk përbën përjashtim ndërtimi i ndërhyrjes ushtarake imorale dhe hakmarrëse të NATO-s dhe ekzagjerimi i numrit të viktimave. Ky ekzagjerim shërben edhe si një lloj “terapie shoku” që margjinalizon të gjitha arsyet e ndërhyrjes së NATO-s në atë kohë dhe veçon realitetin tonë të atëhershëm ushtarako-politik që shkaktoi këtë lloj reagimi. E thënë thjesht, kujtimi i asaj që ndodhi realisht po vritet për të mos shtruar pyetjen qendrore: pse NATO ndërhyri atëherë.
Përkrahësit e diskursit politik dhe ideologjisë së klero-nacionalizmit serb në Mal të Zi e paraqesin ndërhyrjen e NATO-s në atë kohë si agresion dhe tentativë për kolonizim, si dhe si “dhunë e të pa feve dhe tiranëvr” dhe “vazhdim të nazifashizmit të shekullit të 20-të”. Patosi i theksuar i viktimave të bombardimeve të NATO-s, i cili dominon hapësirën publike në Serbi dhe Mal të Zi, i interpreton këto ngjarje si një akt imoral të Aleancës, e cila është një krah i zgjatur i politikës imperialiste amerikane. Kështu, bombardimi i NATO-s bëhet ngjarja qendrore në kujtesën e ndërtuar të viteve të përgjakshme 1990. Sikur asgjë tjetër nuk ka ndodhur në zonën tonë në ato vite?!
Ata në Mal të Zi që janë në anën liberale dhe properëndimore të barrikadës politike dhe ideologjike, e shohin ndërhyrjen e atëhershme të NATO-s si një akt juridikisht problematik, por të pashmangshëm të shkaktuar nga përpjekjet e autoriteteve serbe nën kontrollin e Sllobodan Millosheviqit për të pastruar etnikisht Kosovën nga jeta shqiptare. Megjithatë, me një qëndrim të vendosur për pashmangshmërinë e këtij aksioni ushtarak, shumë përpiqen gjithashtu të relativizojnë dhe margjinalizojnë kritikat legjitime të bazës ligjore të veprimit të njëanshëm të NATO-s në atë kohë. Jam i bindur se ky lloj relativizimi nuk i shërben të vërtetës dhe drejtësisë.
Pavarësisht pikëpamjeve të kundërta, një gjë është e sigurt: bombardimet e NATO-s në atë kohë i frynë erës në velat e nacionalistëve, forcoi ndjenjën tashmë ekzistuese anti-perëndimore dhe anti-amerikane dhe u dha partive pro-serbe dhe klero-nacionaliste në Mal të Zi shansin për të nxjerrë përfitime politike dhe elektorale nga mitologjizimi i kësaj tragjedie.
Përkujtimoret e sotme fetare dhe politike për të rënët, si rregull, janë të mbushura me mesazhe që demonizojnë Perëndimin dhe këdo që guxon të kritikojë politikën lokale dhe rajonale që çoi në ndërhyrje. Viktimat e bombardimeve të NATO-s pozicionohen pa rezerva në përqafimin e ngrohtë të nacionalizmit dhe pushojnë së qeni viktima të pafajshme të politikës së gabuar të brendshme dhe ndërkombëtare dhe bëhen simbole të vuajtjes kombëtare të serbëve. Mendoj se kjo fyen pafajësinë e tyre dhe kujtesën tonë për ta. Të gjitha viktimat e bombardimeve të NATO-s meritojnë respekt dhe kujtim, dhe për shpirtrat e tyre ndez qirinj në oborrin tim.
Problemi lind kur Kisha e Serbisë, partitë politike pro-serbe në Mal të Zi, si dhe Qeveria e Serbisë, fillojnë ta zbatojnë këtë respekt në mënyrë selektive dhe vetëm ndaj viktimave “tona”. Nuk duhet harruar se përkujtimi i sotëm i viktimave organizohet edhe nga një organizatë fetare, barinjtë e së cilës kungojnë Beretat e Kuqe para nisjes së tyre në misionin kriminal në Kosovë. Respekti për viktimën zhduket në momentin kur të vdekurit “tanë” bëhen monedha më e rëndësishme, nëse jo e vetmja, e përdorur për të shënuar përvjetorët historikë.
Jam i bindur se nuk është e mundur të respektosh viktimat “tuaj” dhe në të njëjtën kohë të heshtësh për viktimat e të tjerëve dhe për arsyet e gjithë atyre vuajtjeve?
Përqendrimi te viktimat “tona” ndihmon në shmangien e njohjes së mijëra civilëve shqiptarë në Kosovë që u torturuan dhe likuiduan nga forcat serbe të sigurisë. Ndihmon të mos përballesh me kujtimin e qindra mijëra refugjatëve në Kukës e Tropojë dhe krimin në burgun e Dubravës. Na ndihmon të mos përballemi me faktin se kalorësit “tanë” me uniforma kamuflazhi kryen krime lufte kundër popullatës civile dhe u bënë vrasës fëmijësh, përdhunues dhe grabitës. Na ndihmon të mos përballemi me faktin se “shpirti i popullit serb është i njollosur me gjakun e shqiptarëve etnikë”, siç paralajmëroi një ish-lider fetar ortodoks./Insajderi/
Teskti është marrë me lejen e autorit nga media malazeze “Pobjeda” dhe përkthyer në shqip nga gazetari i Insajderit Xhezair Dashi.