Përfaqësuesit e PSOE-së, partisë së kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, dhe të Partisë Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APCE) do të votojnë kundër hyrjes së Kosovës në këtë organizatë panevropiane e integruar nga 46 vendet.
Kjo, sipas burimeve të ‘Europa Press’ nga burime socialiste dhe ‘popullore’, përcjell Gazeta Insajderi.
Që të pesë deputetët socialistë dhe tre të PP-së do të refuzojnë anëtarësimin e Kosovës. Spanja nuk e ka njohur ende pavarësinë e saj.
“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të mbajmë të njëjtin kriter në lidhje me Kosovën”, shpjegojnë burime nga PSOE-ja, të cilat mendojnë se tani nuk është koha për hyrjen e saj në Këshillin e Evropës, pasi mund të “hapë hapësira për konfrontime” për shkak se ndër 46 shtetet anëtare ka disa që nuk e njohin, ashtu si Spanja.
As nuk ka ndryshim në lidhje me qëndrimin që ka mbajtur PP-ja që nga 2008 dhe që u mbajt gjatë qeverisjes së Mariano Rajoy të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas burimeve nga PP-ja.
Asambleja Parlamentare do të mbajë një debat të martën, ku do të vendosë nëse edërgon vendimin për hyrjen e Kosovës te Komiteti i Ministrave, organi më i lartë i organizatës, përpara takimit të tyre në mes të majit në Reykjavik.
Kujtojmë se PSOE’ja është e njëjtës familje ideologjike sikurse Lëvizja Vetëvendosje. Të dyja bëjnë pjesë në Internacionalen Socialiste. /Insajderi.org/