Janë bërë pesë ditë prej kur Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për tenderin e dyshimtë që komuna e Prishtinës ia ka dhënë kompanisë “Gërlica-Company”, por i pari i kryeqytetit s’e ka thënë ende asnjë fjalë.
Gazeta Insajderi
Janë bërë një javë prej kur Përparim Rama, i ka pranuar disa pyetje nga Insajderi mbi një kontratë të dyshimtë, dhe pesë ditë prej kur Gazeta ka raportuar ekskluzivisht për tenderin e shtrimit të rrugës “Nekibe Kelmendi”, dhe ai ende nuk ka folur për rastin.
Ndonëse javën e kaluar Rama i kishte monitoruar punimet në ndërtimin e udhës që çon për te “Pallati i Drejtësisë”, ai tash hesht për projektin mbi gjysmë milion euro, të cilin e ka fituar “Gërlica-Company” SH.P.K.
Pronari/aksionari i saj Mifail Vogliqi e ka marrë tenderin nga Zyra e Prokurimit të Përparim Ramës, pavarësisht se është i dënuar me burgim për keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, zbulon Gazeta Insajderi.
Sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.
Por, ky fakt se ka penguar zyrën e Prokurimit të Përparim Ramës që me 3 gusht, ta lejojë nënshkrimin e kontratës me titull: Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi P 45 deri P-13.
Gazeta Insajderi për këtë çështje ka kërkuar përgjigje nga kryetari Përparim Rama, nënkryetari Alban Zogaj, departamenti i Prokurimit dhe ai i Komunikimit, por që nga e premtja e kaluar nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Kërkohen hetime kundër “Gërlica-Company” për ‘keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik’
Të premten, më 16 shtator, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, e ka pranuar një kërkesë për inicim të hetimeve kundër kompanisë ferizajase.
Kjo për faktin se Albion Vogliqi, përfaqësuesi i autorizuar nga Mifail Vogliqi, pronari i “Gërlica-Company”, ka nënshkruar deklaratën nën betim duke mos e njoftuar komunën e Prishtinës, se shefi i i tij ishte shpallur fajtor për mashtrim të shtetit.
Kështu i bie se i autorizuari Vogliqi e ka mashtruar komunën e Prishtinës dhe e ka shkulur Ligjin e Prokurimit Publik kur nuk ka treguar për dënimin e pronarit të kompanisë.
Operatori Ekonomik, në këtë rast “Gërlica-Company” ka paraqitur dokumente te rreme tek Autoriteti Kontraktuese, komuna e Prishtinës.
Gazeta Insajderi e ka pyetur kompaninë pse në dosjen e tenderit nuk e ka paraqitur dokumentin e aktgjykimit të Vogliqit, por “Gërlica-Company” ende nuk ka kthyer përgjigje.
As Prokuroria Themelore e Prishtinës, ende nuk ka treguar nëse ka nisur hetimet ndaj ndërmarrjes në fjalë, pronari i së cilës pos që ka qenë i dënuar për mashtrim të shtetit, e ka mashtruar sërish atë.
Ndryshe, shkresën për inicim të hetimeve nga AVONET, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, e ka pranuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe disa komponentë të tjerë, por asnjëra palë ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Insajderi.
Për çka saktësisht është dënuar Mifail Vogliqi?
Më 2 gusht 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor, Mifail Vogliqin dhe e kishte dënuar me burgim.
Sipas aktgjykimit të cilin e ka Gazeta Insajderi, ai ishte dënuar me 180 ditë burgim, ose gjashtë muaj vuajte të dënimit, të cilin më pas e ka paguar me gjobë.
Kjo për shkak se Vogliqi kishte kryer veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas vendimit të Gjykatës, “Vogliqi në cilësinë e pronarit të “Gërlica-Company” me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues”.
Konkretisht Vogliqi ka paraqitur dokumente të rreme, përkatësisht pa autorizimin e A. K., inxhinier i komunikacionit dhe të A.D., inxhinier i ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pasur kurrfarë para kontrate ose kontrate të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale.
Siç janë përgatitjet e tyre profesionale për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë më 1 tetor 2020, lidhur me projektin e “ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, faza e dytë”.
Hulumtimi i plotë i Njomza Salihit: