Një kanal televiziv palestinez ka thënë se pesë gazetarë të tij u vranë gjatë një sulmi izraelit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, transmeton “BBC”.
Gazetarët ishin në furgonin e “Quds Today” të parkuar pranë oborrit të spitalit “al-Awda” në kampin e refugjatëve Nuseirat, ku bashkëshortja e njërit prej gazetarëve ishte duke lindur.
Kanali ka postuar video të furgonit të djegur në të cilën shkruhej “Press”.
Forcat Ajrore të Izraelit thanë se kanë sulmuar “në mënyrë të shënjestruar dhe me udhëzime të inteligjencës” një automjet në të cilën gjendeshin anëtarë të grupit të armatosur Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ). Shtoi se ishin marrë masa për të minimizuar viktimat civile.
BBC s’ka qenë në gjendje t’i verifikojë pretendimet e bëra nga të dyja palët.
“Quds Today” ishte përfolur për lidhje me Xhihadin Islamik Palestinez që mori pjesë në sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit. Sulmi i paprecedentë nisi luftën në Gaza.