Pesë persona janë lënduar nga rrëshqitja e ashensorit mbrëmjen e së shtunës në lagjen ‘Eliza’ në Fushë Kosovë. Në vendngjarje kanë qenë edhe Policia e Kosovës, si dhe ambulanca. Një banor i lagjes është ankuar se kompania përgjegjëse është kontaktuar pesë herë për ta sanuar problemin, mirëpo që s’iu është përgjigjur thirrjeve. ‘Hymeri Elevators’ e kishte mirëmbajtur më herët këtë ashensor. Nga kjo firmë për Insajderin kanë thënë se ata e kishin ndaluar këtë lift së funksionuari, për shkak se do të duhej t’i ndërrohej sistemi i pranimit.
Lifti nga kati i dytë ka rrëshqitur dhe ka rënë në bodrum, duke lënduar pesë banorë të hyrjes 5.5 të lagjes ‘Eliza’ në Fushë Kosovë. Insajderi ka parë në vendngjarje policinë dhe ambulancën, ku më pas janë shoqëruar për në emergjencë të pestit.
Banorë të asaj ndërtese janë ankuar se kompania përgjegjëse është njoftuar për të pestën herë që ashensori ka defekte, mirëpo që s’kanë intervenuar. Kështu ka raportuar edhe një medium lokal i Fushë Kosovës.
“Pershendetje , ne lagjen ‘Eliza’ ne Fushe Kosove hyrja 5.5 ka ren Lifti nga kati i dyte ne podrum dhe ka te lenduar. Kompania qe eshte pergjegjese eshte njoftu qe 5 here ne grupin e lagjes qe lifti eshte ne defekt dhe nuk eshte rregullu. Banoret jan dergu ne spital ne emergjence”, thuhet në shkrimin e tyre në ‘Facebook’.
Komentues në këtë postim kanë kërkuar që t’i merret licenca kompanisë përgjegjëse për këtë.
Insajderi ka kontaktuar me kompaninë ‘Hymeri Elevators’ bashkë me ‘Mjeshtri’, të cilët e mirëmbanin më herët këtë ashensor. Ata thanë se e kishin ndaluar atë ashensor, për shkak të parregullsive të identifikuara më herët. Nga kjo firmë thanë se s’kanë gisht në këtë rast.
“Ai ashensor ka qenë i ndalur në momentin që ne kemi hy në mirëmbajtje. Para një muaji a dy, i kemi shkru të gjitha vërejtjet tona dhe i kemi adresu tek banorët e Elizës edhe tek Cima (Cima Construction). E kemi dërgu ofertën tonë për me i riparu liftat, është zgjedhë kompania tjetër edhe ata para dy ditësh i kanë aktivizu qat ashensor edhe ashensorë të tjerë. Nuk ka zgatë shumë, ka ndodhë incidenti. Kompania Hymeri Elevators nuk ka kurrfarë përgjegjësie për rastin që ka ndodhë dje. Mu po më vjen keq për banorët që janë lëndu po aty na nuk kemi pasë gisht në riparim”, deklaruan nga kjo firmë.
“Aty u kanë kompania tjetër e kontraktume. Në momentin që e kemi inspektu gjendjen e liftit, na e kemi shkru që në këtë ashensor duhet me u ndrru sistemi i pranimit, do elemente të tjera shtesë për me e marrë na në mirëmbajtje. Sipas kontraktuesit të vjetër, ai ka pasë me i doëzu te banorët në gjendje të rregullt. Çmimi iu ka dokë shumë i naltë dhe e ka marrë një kompani tjetër për me i riparu ashensorët. Na s’kemi gisht kurrgjë. Ai ashensor është funksionalizu të premten. Aty në atë lift duhet me bë kontrollë trupa inspektuese, trupa të çertifikume jo na”, shtuan tutje për Insajderin nga ‘Hymeri Elevators’.
Komuna e Fushë Kosovës, përkundër insistimit të qytetarëve, ende s’ka bërë asnjë reagim lidhur me rastin. Mediumi lokal ‘Fushë Kosova Portal’ ka thënë se kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e ashensorëve s’mbajnë përgjegjësi pasi që s’monitorohen nga komuna.
“Gjithashtu, shumë banorë na shkruajnë se edhe në disa komplekse të tjera kompanitë nuk mbajnë fare përgjegjësi. Pasi nuk monitorohen nga askush prej komune”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre. /Insajderi.org/