×
  • Biznes
  • Biznes

    Pesë zhvillime teknologjike për t’i ndjekur gjatë vitit 2022

    Insajderi
    01 January 2022 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nëse viti 2021 ishte vit kur bota kaloi nëpër tronditjen e shkaktuar nga COVID-19, viti 2022 do të jetë viti kur bota do të ecën mbi themelet e “normales së re” që e ka krijuar pandemia.

    Dy vjet me koronavirus kanë ndryshuar mënyrën se si jetojnë njerëzit nëpër botë, nga të punuarit më të shumtë nga distanca, e deri te natyra e ndryshuar e udhëtimeve ndërkombëtare, dhe varësia në rritje nga komunikimet digjitale.

    Brenda javësh, COVID-19 e shtyu botën në një të ardhme shumë të ndryshme, teksa firma globale e këshillimit McKinsey tha se gjatë tre muajve të parë të pandemisë, bota “bëri pesë vjet përpara për sa i përket përvetësimit të teknologjisë nga konsumatorët dhe bizneset”.

    Në shumë mënyra, viti 2022 pritet të bëhet një version më i avancuar i ndryshimeve të shpejta të shkaktuara nga pandemia, teksa parashihen hapa edhe më të mëdhenj në teknologji.

    Sipas sipërmarrësit dhe futuristit Peter Diamandis, ne do të përjetojmë progres më të madh në dekadën e ardhshme sesa në 100 vjetët e kaluar së bashku, teksa teknologjia po riformon shkencën e shëndetit dhe atë të materieve, energjinë, transportin, dhe një mori industrish dhe fushash të tjera.

    “Në dhjetë vjetët e ardhshëm, ne do ta ndryshojmë çdo industri”, ka thënë Diamandis për The Guardian, gjatë një interviste të dhënë më 2020. “(Po lëvizet) edhe më shpejt, sepse po rritet numri i njerëzve që kanë qasje në teknologji, prandaj jemi në gjendje të zgjidhim edhe më shumë probleme”.

    Implikimet e këtyre ndryshimeve mund të jenë të mëdha, dhe mund të prekin korporata, qeveri, dhe popuj kudo në botë.

    Gjatë vitit 2022, bota parashihet të bëhet gjithnjë e më virtuale, dhe rrjedhimisht të ndryshojë gjithçka, nga moda e deri te financat.

    Përparimet në teknologjinë e energjisë së pastër dhe në bioinxhinieri janë gjithashtu në horizont, dhe mund të ndihmojnë shumë në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe në trajtimin e sëmundjeve.

    Hapësira, e cila tashmë po mësohet me një varg lojtarësh privatë, po bëhet gjithashtu një fushë e re për konkurrim ushtarak ndërmjet vendeve, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Tensionet politike ndërmjet Pekinit dhe Moskës gjithashtu kanë shkaktuar mungesë globale të gjysmëpërçuesve, të cilët fuqizojnë një gamë të gjerë të produkteve, dhe mund të prekin edhe zinxhirët globalë të furnizimeve.

    Këto janë pesë zhvillimet e mëdha teknologjike për t’i ndjekur gjatë vitit 2022:

    Themelet e “metaversit”

    Pasi Mark Zuckerberg njoftoi në tetor se Facebook po ndërronte emrin si korporatë në Meta, dhe se organizata do ta përqendronte vëmendjen e saj mbi ndërtimin e të ashtuquajturit metavers, ky koncept fitoi zë, pavarësisht se ideja ka ekzistuar prej dekadash.

    Në thelb, metaversi është një imitim hipotetik i internetit, i cili mbështet mjediset virtuale tredimensionale online, nëpërmjet kompjuterit tradicional, si dhe pajisjeve për realitet të simuluar apo të zmadhuar, siç janë realiteti virtual (VR) dhe realiteti i shtuar (AR).

    Por, elementet e metaversit dhe një mënyrë gjithnjë e më virtuale e jetës tashmë janë realitet.

    NFT-të, apo tokenët e pakëmbyeshëm, tashmë janë paraqitur si valutë për metaversin që po krijohet. Kjo trajektore duket se do të përshpejtohet gjatë vitit 2022 dhe përtej.

    Facebook bëhet Meta teksa vihen themelet e "metaversit"

    Për më pak se një vit, mbi 400 milionë dollarë janë derdhur në NFT-të, dhe ritmi po shpejtohet. Sipas Forbes, rreth 40 milionë dollarë në muaj llogaritet se investohen në tokenë, dhe rekordet e fitimeve po vazhdojnë të vendosen çdo muaj.

    Konvergjenca ndërmjet personit fizik dhe virtual gjithashtu po zgjerohet, dhe po përdoret gjithnjë e më shumë për përfitime financiare nga kompanitë e mëdha.

    Në tetor, Nike i dorëzoi aplikacionet për regjistrim të markës tregtare, si pjesë e përgatitjeve të saj për të shitur atlete dhe veshje virtuale, ndërsa kompania së fundmi ka blerë një kompani të vogël për të përshpejtuar “transformimin digjital” të saj.

    Markat tjera të mëdha të modës gjithashtu po përqendrohen mbi metaversin, teksa së fundmi u shit një çantë digjitale për 4,115 dollarë dhe një diademë virtuale për 341.000 dollarë.

    Gjetkë, çmimet e patundshmërive digjitale kanë vënë rekorde të reja gjatë javëve të fundit, ndërsa firmat e arkitekturës digjitale po paguhen deri në 300,000 dollarë për dizajne virtuale.

    “[Metaversi] është këtu tashmë. Është një koncept i rëndësishëm që njerëzit duhet ta dinë, kur mendohet për perspektivën e zhvillimit afatgjatë për shumë kompani teknologjike”, ka thënë Mark Shmulik, analist i lartë në firmën amerikane të ndërmjetësimit Alliance Berstein, gjatë një bisede me gazetarë. “Ndonëse ende mund të mos ketë ndodhur zhvillimi i madh, për të shtyrë përvetësimin masiv, ne mund të jemi më afër momentit të zhbllokimit sesa që mendojnë njerëzit”.

    Teknologjia e pastër, gati për t’u zhvilluar

    Në një raport të publikuar më herët më 2021, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë se varësia e vazhdueshme nga karburantet fosile po e ngroh botën me një ritëm të paprecedentë në 2,000 vjetët e fundit – dhe se efektet e kësaj janë të dukshme, teksa thatësira rekorde, zjarret e egra dhe përmbytjet po i shkatërrojnë komunitetet në mbarë botën.

    Sipas raportit, gjërat pritet të përkeqësohen, nëse lirimet e gazrave serrë vazhdojnë, ndërsa vendimet për energjinë gjatë viteve të ardhshme do të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e shkallës së ndikimit të tyre në planet.

    Një shkak për optimizëm të matur është se energjia e ripërtërishme, transporti ekologjik, ndërtesat që kursejnë energjinë, dhe konsumimi i kujdesshëm i ujit, janë në thelb të trendëve të teknologjisë së pastër, që pritet të marrin hov gjatë vitit 2022.

    Sipas raportit të fundvitit të McKinsey-t, 75 për qind e energjisë globale do të prodhohet nga materialet ekologjike më 2050, dhe, teksa kostot e lidhura me teknologjinë e pastër po vazhdojnë të bien, përdorimi i saj nëpër një varg industrish pritet të rritet.

    Por, teksa po përparon revolucioni i energjisë së pastër, shumë analistë paralajmërojnë për disa prej efekteve të paqëllimta anësore, të cilat mund t’i sjellë ndryshimi.

    Kongoja, për shembull, e cila prodhon më shumë se dy të tretat e kobaltit të botës, po merr rol të rëndësishëm, teksa prodhuesit e mëdhenj të automjeteve po zotohen për luftimin e ndryshimeve klimatike, nëpërmjet kalimit nga automjetet që përdorin lëndë djegëse, në të tillë që fuqizohen nga bateritë, të cilave u duhet minerali për t’u prodhuar.

    Përderisa largimi nga karburantet fosile mund të ndihmojë rreth problemit të rritjes së temperaturave, një hetim i kryer së voni nga The New York Times ka zbuluar se shumë zgjidhje të teknologjisë së pastër kanë sjellë me vete probleme të natyrës etike, si dhe ende varen nga industrisë e minierave nxjerrëse, që ndjekin “një cikël të njohur të shfrytëzimit, lakmisë, dhe hileve”, gjëra nga të cilat është i prekshëm sidomos një vend në zhvillim, siç është Kongoja.

    Një revolucion i bioteknologjisë?

    Zhvillimi i shpejtë në krijimin e një vaksine që funksionon kundër COVID-19, dhe aftësia për të identifikuar dhe për të zbërthyer shpejt renditjet e varianteve të reja të virusit, janë rezultat i përparimeve të mëdha  në bioteknologji, e cila mund të zhvillohet edhe më shumë në vitin 2022.

    Kostoja e renditjes së gjenit njerëzor është reduktuar 45-fish në dhjetë vjetët e fundit, sipas firmës së këshillimit Deloitte, dhe kjo analizë e shpejtë e materialeve gjenetike hap mundësi të reja në një varg fushash, nga zhvillimi i vaksinave të reja, deri te medikamentet e personalizuara dhe terapia e gjeneve.

    Deloitte parashikon se përparimet në shkencën biologjike mund të kenë “një ndikim të rëndësishëm në ekonominë dhe në jetën tonë, dhe do të prekin industritë, nga shëndetësia dhe bujqësia, deri te mallrat e konsumit, energjia dhe materialet” gjatë vitit të ardhshëm.

    Mungesa e gjysmëpërçuesve

    Prej kur konfrontimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në fushën e tregtisë dhe atë të teknologjisë u shpërfaq në vitin 2017, pjesa më e madhe e vëmendjes është përqendruar te konflikti tregtar dhe te fushata amerikane kundër Huaweit, flamurtare kineze në ndërtimin e rrjetit 5G, njëherësh kompania globale më e rëndësishme teknologjike e Kinës.

    Por, hapat e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara për të sanksionuar dhe për të bllokuar qasjen në komponentë kyç për gjysmëpërçues paraqesin një problem më thelbësor për Kinën – dhe për zinxhirët globalë të furnizimeve.

    Përpjekjet për të ndalur furnizimin e firmave kineze me gjysmëpërçues të teknologjisë së fundit, dhe për të inkurajuar ndërtimin e fabrikave të çipave të avancuar në tokën amerikane, jo vetëm që kanë përfshirë industrinë e gjysmëpërçuesve në rivalitetin gjeopolitik, por gjithashtu kanë ndikuar që të shkaktohet bllokim i furnizimeve, teksa kërkesat po rriten.

    Gjysmëpërçuesit ndodhen përfund një numër gjithnjë e më të madh të produkteve – nga veturat dhe biçikletat elektrike, deri te rrobalarëset dhe furçat e dhëmbëve. Por, ka mungesa të shumë prej këtyre mikroçipave, teksa kompanitë kineze po grumbullojnë rezerva të çipave të shumëkërkuar, në përpjekje për ta menaxhuar situatën.

    “Çështja me të cilën po përballemi është se gjërat e bëra me çipa nuk e përdorin vetëm një çip”, ka thënë Alan Priestley, analist në firmën hulumtuese Gartner. “Telefonat e rinj të mençur kanë shumë, shumë çipa për kontrollimin e energjisë, dhe ka mungesa të po këtyre çipave tani”.

    Rezultat i menjëhershëm mund të jetë inflacioni dhe mungesa e përkohshme në treg e disa produkteve, por pasojat afatgjate mund të shihen te zinxhirët e furnizimit në shumë vende, që mund të duhet të varen krejtësisht nga vetja.

    Shumica dërrmuese e çipave të botës prodhohen në Kinë, përderisa Shtetet e Bashkuara përbëjnë prodhuesin e dytë më të madh. Por, që të dy vendet varen nga komponentët e njëri-tjetrit, dhe të tregjeve të tjera, për t’i prodhuar gjysmëpërçuesit.

    Kina po investon miliarda për të ndërtuar rrjetin e vet të brendshëm të furnizimeve, përderisa Shtetet e Bashkuara gjithashtu po përpiqen ta bëjnë industrinë më të bazuar në vend.

    Komisioni Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, po ashtu ka thënë se dëshiron të rrisë kapacitetin për prodhimin e çipave në Evropë, si pjesë e një përpjekjeje për ta bërë bllokun më të varur nga vetja për atë që ai e konsideron teknologji kritike.

    “Është një lëvizje e madhe, që do të ndihet shumë, dhe përtej vitit 2022”, ka thënë Priestley.

    Hapësira e militarizuar

    Vetëm pak javë pasi Rusia rrëzoi, pa paralajmërim, një satelit të vjetruar të komunikimeve, duke vënë në rrezik të mundshëm astronautët amerikanë, Shtetet e Bashkuara testuan më 13 dhjetor qëndrueshmërinë e satelitëve të tyre përballë kërcënimeve nga Kina dhe Rusia, qindra kilometra mbi Tokë, si pjesë e lojërave të luftës në hapësirë.

    Përderisa veprimet e SHBA-së ishin simulime të ndihmuara nga kompjuterët, ato përfshinë rrëzimin e mundshëm të satelitëve amerikanë që gjurmojnë raketat, pengimin e valëve satelitore, dhe taktika të tjera elektronike të luftës, që janë të mundshme në hapësirë.

    Ritmi i konfliktit në hapësirë po intensifikohet, ka thënë gjenerali David Thompson, zëvendësshef i operacioneve hapësinore në Forcën Hapësinore të SHBA-së, në një prononcim në nëntor për The Washington Post, duke shtuar se Kina mund t’i kapërcejë Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe hapësinore deri në fund të dekadës.

    Taktikat për beteja, shumë lart mbi Tokë, janë shumë të ndryshme nga ato që shihen në filmat fantastiko-shkencorë, por megjithatë mund të konsiderohen akte lufte.

    Ushtria kineze raportohet të jetë duke dislokuar sisteme tokësore për luftë në hapësirë, siç janë laserët që mund t’i dëmtojnë satelitët e komunitetit amerikan të inteligjencës – dhe gjithashtu besohet të jetë duke zhvilluar një satelit që mund ta çjerrë një satelit tjetër, apo ta kapë një satelit tjetër nëpërmjet një krahu robotik apo një çengeli.

    Ajo që është më brengosëse, sipas Daniel Porras, zyrtar për siguri hapësinore në Institutin e OKB-së për Hulumtime të Çarmatimit, në Gjenevë, është se ka pak traktate, doktrina, apo norma, për adresimin e konfliktit në hapësirë.

    “Nuk ka rregulla të veprimit”, ka thënë Porras. “Nuk ka ndonjë pengesë për dikë që të fillojë të ndërhyjë në sistemin hapësinor të tjetrit”.

    Dhe, përderisa gara e armatimit në hapësirë po intensifikohet, aktualisht në horizont nuk duket ndonjë opsion diplomatik.

    “Ideja e një gare armatimi në hapësirë po i afrohet realitetit, teksa teknologjia po përparon, në mungesë të zotimeve obliguese për kontrollin e armëve në hapësirë”, ka thënë Porras.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark