Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar për televizionin serb RTS se delegacioni i Serbisë “do të luftojë për një dialog në Bruksel”, sepse, siç thotë ai, “është i vetmi vend ku ata mund të flasin me Prishtinën”.
Petkoviq ka shtuar se “Prishtina po gjeneron një atmosferë “jashtëzakonisht të vështirë” përpara vazhdimit të dialogut në Bruksel”.
Sipas tij, “qëllimi i gjithë kësaj është të minohet dialogu dhe të bëhet presion ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.
“Kemi një presion të madh ndaj Serbisë dhe Vuçiqit, dhe nga ana tjetër mbështetje të madhe nga Perëndimi ndaj Kurtit i cili sillet në mënyrë të tillë që askush në Perëndim të mos reagojë ndaj provokimeve, fyerjeve, kërcënimeve, sepse Kosova është një fëmijë i fuqive perëndimore dhe nuk duhet të kritikohet kur ajo bën gabime, ndërsa Serbia duhet”, ankohet Petkoviq.
Siç thotë ai, “delegacioni i tyre po shkon në Bruksel për të mbrojtur pozicionin e Serbisë”./Insajderi.org.