Rojet presidenciale të Koresë së Jugut dhe trupat ushtarake i penguan autoritetet të arrestonin presidentin Yoon Suk Yeol të premten në një bllokim të tensionuar prej gjashtë orësh brenda kompleksit të Yoon në zemër të Seulit.
Mbështetësit e Yoon, të cilët kanë ngritur kampin përpara rezidencës presidenciale prej ditësh, brohoritën me këngë dhe vallëzim ndërsa u njoftua pezullimi.
“Ne fituam”, këndonin ata, raporton CNN.
CIO tha se shqetësimi për sigurinë e ekipit në terren ishte një faktor tjetër në vendimin e tyre për të anuluar tentativën e arrestimit.
Hetuesit kanë kohë deri më 6 janar për të arrestuar Yoon përpara se të skadojë mandati aktual i presidentit të Koresë së Jugut.
Megjithatë, ata mund të aplikojnë për një urdhër të ri dhe të përpiqen ta ndalojnë atë përsëri.
Një gjykatë në Korenë e Jugut ka lëshuar të martën urdhër për arrestimin e presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol, dhe për bastisjen e rezidencës dhe zyrës së tij, për dyshimet për kryengritje në lidhje me shpalljen jetëshkurtër të ligjit ushtarak.
Kjo është hera e parë që lëshohet fletarrestim për një president në detyrë në Korenë e Jugut. Megjithatë, ekspertët thonë se ka pak gjasa për arrestim apo bastisje, nëse Yoon nuk shkarkohet nga detyra fillimisht.
Gjykata e Qarkut në Seul dha urdhrin për arrestimin e Yoonit dhe për bastisjen e zyrës presidenciale dhe rezidencës së tij në qendër të Seulit, sipas një komunikate nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, e cila po e udhëheq hetimin bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake.
Ajo thotë se po kryen hetim për të parë nëse shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor përbën kryengritje.
Sipas ligjit koreanojugor, lideri i një kryengritjeje mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.
Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet.
Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend.