
Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga ministria në detyrë, Arbërie Nagavci, kishte shpallur një tender 8.5 milionë euro, për blerjen dhe instalimin e tabelave të mençura (smartboard) në institucionet parauniversitare. Por ky proces është pezulluar përkohësisht, pasi një ankesë zyrtare nga një operator ekonomik ka ngritur dyshime serioze mbi kriteret dhe dokumentacionin e tenderit. Kompania ankuese pretendon se janë vendosur kritere në mënyrë që të favorizojnë kompani të caktuara.
Gazeta Insajderi
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci, kishte hapur tender me vlerë 8.5 milionë euro, për “furnizim dhe instalim të smartboard-ve për shkollat parauniversitare në Kosovë”.
Njoftimi për kontratë ishte bërë me 5 maj të këtij viti.
Ndërkohë parashikohej që të jetë i hapur për oferta deri dje, me gjashtë gusht.
Mirëpo, procesi ka përfunduar në OSHP, pasi një kompani është ankuar, duke pretenduar se janë vendosur kritere në mënyrë që të favorizojnë kompani të caktuara.
Pezullimi i tenderit ka ardhur pas kërkesës për rishqyrtim të dorëzuar nga kompania Cacttus Sh.a., e cila ka ngritur dyshime mbi kriteret e vendosura në dosjen e tenderit, duke i cilësuar ato si diskriminuese, të paqarta dhe të orientuara ndaj një prodhuesi të vetëm.
Sipas pretendimeve të kompanisë, MASHTI ka kërkuar staf profesional me titull “Master i Shkencave”, pa saktësuar fushën, dhe përvojë pune vetëm pas diplomimit, çka përjashton kandidatët me përvojë të mëparshme relevante.
“Kjo kërkesë, në pikën (a), është e paqartë dhe mendojmë se është përpiluar në një mënyrë që lejon interpretime subjektive gjatë vlerësimit të tenderit, për arsyet si më poshtë: Kur thuhet “Master i Shkencave”, nuk është e qartë për cilat fusha shkencore bëhet fjalë nëse kërkohet Master në Inxhinieri Kompjuterike apo Master në një fushë tjetër të shkencave, gjë që le hapësirë për interpretim dhe diskriminim. Po ashtu, nuk specifikohet nëse kërkohet vetëm diplomë master, apo nëse mjafton edhe niveli bachelor në Inxhinieri Kompjuterike, çka e bën kërkesën jo të qartë dhe potencialisht të padrejtë”
Një tjetër pikë, ceket edhe kërkesa për 20 teknikë të certifikuar për smartboard, të cilët duhet të jenë të gatshëm që në fazën e ofertimit, gjë që sipas ankuesve e kufizon ashpër konkurrencën.
Po ashtu, specifikimet teknike në dokumentet e tenderit – përfshirë softuerët si “Flip App”, sistemi operativ Tizen 6.5 dhe elementet e brendshme si CPU, RAM dhe storage – sipas Cacttus, janë të qarta se i referohen pajisjeve të prodhuara nga kompania koreane Samsung, duke e bërë tenderin de facto të mbyllur për prodhues të tjerë.
Në kërkesën për rishqyrtim theksohet se ky tender, në formën aktuale, shkel parimet themelore të Ligjit për Prokurimin Publik, që ndalojnë diskriminimin dhe kërkojnë specifikime teknike neutrale, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe qasje të barabartë në kontratat publike.
Tutje në dosjen e tenderit njoftohet se është marrë vendimi që ky tender të pezullohet.
“Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjise dhe Inovacionit, duke vendosur sipas ankesës të datës: 15.15.2025, të parashtruar nga Cacttus” Sh.a., lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: Blerja, furnizimi, montimi dhe instalimi i tabelave te mençura (smartboard) për qëllime arsimore për institucionet e arsimit parauniversitar, nxjerrë: VENDIM MBI PEZULLIMIN E AKTIVITETIT TE PROKURIMIT
Pezullohet aktiviteti i prokurimit me titull: Blerja, furnizimi, montimi dhe instalimi i tabelave te mençura (smartboard) për qëllime arsimore për institucionet e arsimit parauniversitar”.
Insajderi.org