Izolimi i kosovarëve, refuzimi që po ia bën në vazhdimësi Evropa shtetit të vetëm në Ballkan pa liberalizim të vizave është duke kontribuar që kosovarët të kthehen nga Lindja, ndërkohë që fuqi të mëdha si Turqia janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi perfekte për agjendat islamike, thotë gjatë një interviste ekskluzive për “Zërin” David Philips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së.
Identiteti evropian për shqiptarët po bëhet i pakapshëm. Kosovarët janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa.
Mohimi i udhëtimit pa viza për kosovarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin. Këto kritika të ashpra në drejtim të ndërkombëtarëve i ka bërë amerikani David Philips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së, njohës i mirë i çështjes shqiptare.
Ndonëse e pranon se shqiptarët janë aleatët kryesorë të amerikanëve në Evropë, ai foli për rrezikun e influencës turke e cila po shtrihet në Kosovë dhe në Maqedoni shumë me investimet direkte të Erdoganit.
Philips kritikoi edhe politikanët shqiptarë të cilët ua kanë dhënë pasuritë kryesore kompanive turke. Ndërkohë që nënvizoi se ekstremizmi i shqiptarëve i shërben agjendës serbo-ruse. Sipas tij, Turqia është një aleat i pasigurt për SHBA-në, kurse shqiptarët janë aleatët më të mëdhenj të SHBA-së. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët po ashtu paraqesin një alternativë për ideologjinë salafiste.