Një person është plagosur sot në fshatin Drenoc të Prishtinës.
Rastin për Insajderi e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës derisa shtoi se personi i dyshuar është arrestuar.
“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në fshatin Drenovc të Prishtinës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar L.B ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, konfirmoi Ahmeti.
Në orët e paradites së të mërkurës është raportuar për një plagosje në “Kodër të Trimave”. Ende nuk dihet nëse rasti ka ndërlidhje me këtë në fshatin Drenoc.