Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Kirurgjinë Torakale gruan e cila u plagos nga bashkëshorti i saj dje në Fushë Kosovë.
Haxhiu është takuar me drejtorin e kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, i cili ka bërë të ditur pacientja është operuar si pasojë e plagëve të marra.
Një ditë më herët, ajo ka kritikuar sistemin e drejtësisë se duke lënë të lirë të dyshuar për dhunë në familje po stimulojnë rastet si ky.
Sipas Haxhiut i dyshuari sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij. “Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori”.
“Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve”, ka theksuar ministrja.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për plagosjen e gruas, njëri prej të cilëve është burri i saj.