Ishte java e parë që kur Federata Ruse kishte nisur pushtimin e shkallës së gjerë të territorit të një shteti fqinj – atë të Ukrainës. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte rrjedhur mendësh në projeksione perandorake të Rusisë së shekullit të 19’të, ndërsa Presidenti i Serbisë, pati dalur në konferencë për media për të “parashikuar” se çfarë do të thoshte ky pushtim në lidhje me Kosovën, shkruan Insajderi.
“Brenga” e tij kryesore kishte të bënte me atë se pasi Federata Ruse kishte shkelur brutalisht Kartën e OKB-së me të pushtuar një shtet fqinj, të pavarur dhe sovran, asaj do t’i bëhej asisoji puna për ta përjashtuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është Anëtare e Përhershme me të drejtë të vetos. Pikërisht, kjo veto ishte bërë çështje vajtimi për Vuçiqin – vetoja ruse ndaj Kosovës si pika kryesore përbashkuese e marrëdhënieve serbo-ruse.
“Ata [Perëndimi] planifikojmë të inicojnë vënien në diskutim të bazës ligjore të Nenit 6 ku do të mund të hapet mundësia për ndryshimin e Rezolutës 12/44, pas së cilës më neve nuk do të na mbetej as edhe një bazë ligjore; dhe do të pasonte njohja e pavarësisë së Kosovës”, pati deklaruar ai në fillim të marsit të vitit 2022.
Vuçiq parashikonte se vetos ruse do t’i thuhej “praktikisht lamtumirë”, derisa Kosovës do t’i çelej rruga për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Rusia vetëm se ishte përjashtuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe në Këshillin e Evropës. Rusia ishte bërë shtet “pariah”.
Ishte në Prill të vitit të kaluar kur Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Gueterres, ia kishte lexuar këtij të fundit opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës, shkruan Insajderi. Tabloidet serbe të kontrolluara dhe financuara nga qeveria serbe kaluan në histeri. “Putin njohu Kosovë”, “Putin thikë pas shpine Serbisë”, e tituj të ngjashëm, vërshuan skenën mediatike serbe.
Megjithatë, Rusia mbajti njërin sy kah Ballkani Perëndimor, veçanërisht kah pjesa veriore e Kosovës dhe kah entiteti serb i Bosnje-Hercegovinës. Kjo, paramendueshëm, për të përdorur luftën e saj hibride, në shkaktim të një konflikti që do të mund ta shkëpuste vëmendjen nga Ukraina, ku po pësonte disfatë pas disfate.
Krizat e njëpasnjëshme në Veri të Kosovës, prej afisheve të targave, në targat e paligjshme “KM, PZ, etj”, lejeudhëtimet, shpallja dhe pezullimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, si dhe së fundmi plani franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve, kanë marrë vëmendjen e madhe të elementeve ruse.
Rusia dhe përpjekjet për të minuar planin franko-gjerman
Një figurë me ndikim enorm në Serbi, Aleksandar Boçan Harçenko, ambasador i Federatës Ruse në Beograd, për të dytën hera brenda javës dha mesazhe eksplicite drejtuar autoriteteve serbe rreth pranimit eventual të planit franko-gjerman, shkruan Insajderi.
Plani evropian i paraqitur që nga shtatori i vitit të kaluar, me iniciativë franko-gjermane, sipas Harçenkos, është veçse një “rrugë e tërthorë” që Serbia ta njohë Kosovën. Në rend të parë, tha ai, plani ka për synim Kosovën në OKB, si hap përfundimtar në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.
Harçenko, u shpjegon mediave dhe lexuesve serbe se “esenca” e këtij plani, “është njohja”. Sepse po qe se e pranon Beogradi këtë plan, thotë rusi Harçenko, “atëherë Kosovën e konsideron si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”, derisa shton se “atëherë Kosova ekziston si shtet”.
“Ne nuk jemi pjesëmarrës në bisedime, dhe mund të krijojmë opinion vetëm në bazë të raportimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Parlamentin e Serbisë dhe në bazë të informacioneve që ‘rrjedhin’ në media. Në mendimin tim, kjo është tenativë e Perëndimit për të gjetur rrugën e tërthorë që Serbia ta njohë Kosovën dhe që ajo të futet në institucionet ndërkombëtare, në rend të parë në OKB”, tha ai për “Novosti”, përcjell Insajderi.
Pyetur se a është plani franko-gjerman “bazë e mirë” për negociata Kosovë-Serbi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ambasadoru rus ka përgjigje ruse, “jo” thotë ai.
“Sepse plani drejtpërsëdrejti deklaron që Serbia nuk e parandalon hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Anipse Perëndimi provon ta paraqesë atë si plan për normalizimin e jo për nohje, esencialisht është njohje. Nëse shteti [serb] jep pëlqimin për anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare, atëherë Kosova në këtë rast është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, dhe si shtet anëtar të OKB-së, atëherë Kosova ekziston si shtet”.
Harçenko i cili ishte edhe pjesëmarrës i delegacionit rus në bisedimet për statusit e Kosovës, ndryshe të njohur edhe si “Treshja” (Wolfgan Ischinger, Frank Wisner, Aleksandar Boçan Harçenko”, tha se plani evropian i bazuar edhe një planin e Dy Gjermanive që Ischingeri e kishte paraqitur asokohe “ishte i papranueshëm atëherë” dhe se nuk e kupton se si diçka e ngjashme të jetë e pranueshme sot, shkruan Insajderi.
“Nuk e shoh se si diçka e ngjashme, për të mos thënë e njëjta gjë, tash po mund të shërbeka si një bazë e re për marrëveshje”, tha ai.
Pyetur se nëse përmes planit franko-gjerman arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, a do të hiqte veton Federata Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për pranim të Kosovës, Harçenko shmanget nga të përgjigjurit. “Nuk flas për gjëra që lidershipi serb, në rend të parë Presidenti, refuzon”.
Takimi i të hënës Kurti-Vuçiq për propozimin evropian
Profesori dhe filozofi Blerim Latifi në një përgjigje për Insajderin, thotë së interesi i Federatës Ruse është që të mirëmbahen tensionet në rajon, e në veçanti ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Po interesi i drejtpërdrejtë i Rusisë nga fillimi ka qenë që Ballkani dhe posaqërisht raportet midis Kosovës dhe Serbisë të jenë raporte të tensionuara dhe me mundësi reale për t’u shndërruar në konflikte të hapura”, thotë fillimisht filozofi Latifi. “Krejt kjo si pjesë e interesit të madh të Rusisë për destabilizimin e Europës”.
Për Latifin përpjekjet obstruksioniste ruse për arritjen e një marrëveshje Kosovës nuk janë të befasishme.
“Në këtë kontekst diplomacia ruse natyrshëm që e kundërshton çdo përpjekje për mbylljen e kontesteve mes popujve e shteteve në Ballkan, pra edhe këtë që po quhet plani franko-gjerman”, tha ai për Insajderin.
“Edhe vetë angazhimi aktial kaq i madh i diplomacisë perëndimore për të gjetur një zgjidhje për kontestin Kosovë- Serbi në masë të madhe është i motivuar nga kundërvënia ndaj kësaj strategjie ruse”, përfundon Blerim Latifi.
Deklarimet e Ambasadorit të Federatës Ruse
Beogradi mund të jetë “absolutisht i sigurt” se Moska nuk do të ndërrojë qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës, ka thënë ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Botsan Harçenko, shkruan Insajderi.
Në një intervistë për agjension serb të lajmeve “Tanjug”, Harçenko e siguron publikun serb se Rusia do të qëndrojë përkrah Serbisë në kundërshtimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.
“Asgjë nuk ndryshon këtu, bashkëpunimi jonë sa i përket Kosovës në institucione ndërkombëtare vazhdon, në rend të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku Rusia është Anëtare e Përhershme”, ka thënë ambasadori rus.
“Qëndrimi ynë është pjesë e marrëdhënieve tona vëllazërore, dhe e dyta është që Rusia është e përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe beson se Rezoluta 12/44 e KS OKB-së është baza për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, shtoi ai./Insajderi/