×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Plani i së ardhmes: Avionë privatë për pasagjerët e zakonshëm

    Insajderi
    13 May 2016 - 00:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një kompani e teknologjisë në Britani kërkon ta bëjë të arritshëm për pasagjerët e zakonshëm udhëtimin luksoz me avionë privatë. Kompania “Stratajet” po krijon një faqe në internet që do të mbledhë të dhënat dhe çmimet në kohë.

    Për shumë njerëz që kërkojnë të rezervojnë bileta fluturimi, avionët privatë i mendojnë me çmime mbi buxhetin normal. Por, sipas Jonny Nicol, themelues i kompanisë “Stratajet”, nuk është gjithnjë kështu:

    “Portali ynë ngjason me faqet e tjera të internetit për udhëtime ajrore, por ka edhe elementë të shtuar. Mund të kërkosh sipas destinacioneve nëpërmjet kodit postar dhe jo vetëm nëpërmjet aeroporteve. Pasi jep kohën dhe vendin ku dëshiron të shkosh, faqja nxjerr një sërë variantesh me çmimet përkatëse.”

    Deri më tani, fluturimet me avionë privatë janë menaxhuar nga tregtarë ndërmjetës. Ndërsa, kompjuterat e “Stratagen” i përllogarisin në pak sekonda të gjitha variantet e mundshme, dhe paraqesin një listë me opsione të ndryshme fluturimi.

    Sipas zoti Nicol, kompania paraqet edhe të dhënat e avionëve privatë që nuk janë plotësuar me klientë, duke ofruar kështu udhëtimin me çmim të reduktuar:

    “Po e shndërrojmë në një mënyrë udhëtimi të arritshme për të gjithë. Këta avionë udhëtojnë me vende bosh duke djegur kot karburant. Ne do të ulim kështu edhe çmimin për të pasurit, por ndërkohë do t’u mundësojmë edhe udhëtarëve të zakonshëm të fluturojnë me këta avionë privatë,”- thotë ai.

    Sipas Sean Tipton, i Shoqatës së Agjentëve të Udhëtimit Britanikë, industria e avionëve privatë është në rritje:

    “Po shtohet numri i personave me të ardhura të larta që udhëtojnë me avionë privatë, për të shmangur vonesat e kalimit përmes doganave etj.”

    Megjithëse çmimet mesatare vazhdojnë të jenë më të larta se biletat e udhëtimit me linjat komerciale, rritja e shfrytëzimit të këtyre avionëve pritet të ulë edhe çmimet e biletave.

    Kompania “Stratajet” ka shtrirë tashmë aktivitetin e saj në 44 vende në të gjithë Evropën, me një flotë prej 500 avionësh.

    Së shpejti, kompania do të hyjë edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara./VOA

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark