
Përkundër temperaturave të larta, banorët e rrugës “Shakadin Behrami” në Podujevë tash e dy javë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.
Një nga banorët e kësaj rruge ka thënë për Insajderin se janë të detyruar të mbushin kova me ujë për nevoja bazike, si përdorimi në banjo.
Megjithatë, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka mohuar pretendimet se banorët kanë qenë pa ujë për një periudhë dyjavore.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Kemi investuar në arterien kryesore të furnizimit të rezervuarit në Podujevë, gjë që ka rritur kapacitetin furnizues. Po ashtu, jemi përkujdesur që të gjithë qytetarët të kenë ujë, qoftë edhe kohë pas kohe, për të përmbushur nevojat familjare. Nuk është e vërtetë që kanë kaluar dy javë pa ujë, pasi ne kemi realizuar këto përmirësime infrastrukturore javën e kaluar”, deklaroi Mjeku për Insajderin.
Ndërkohë, Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë një prononcim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Për më shumë detaje, ndiqni videon në vazhdim: