“Po i nxit të rinjtë për të shkuar në luftë në Siri”, është kjo deklarata e moderatorit Nusret Pllana e cila pasoi me një padi ndaj tij. Hoxhë, Shefqet Krasniqi e ka paditur Pllanën për shpifje. Insajderi ju sjell detajet.
Në muajin qershor të këtij viti, i ftuar në një emision televiziv, Nustret Pllana lëshoi akuza të rënda kundrejt hoxhës, duke u shprehur se e “Me ato ligjëratat famëkeqe të Shefqet Krasniqit, tu i qu djemtë tu i vra atje, e duke ju ardhur gratë e tyre pastaj me ka 4-5 fmijë, që një Zot e din me kon i kanë”.
Kjo deklaratë po cilësohet tërësisht si shpifje nga mbrojtja e Shefqet Krasniqit.
Gazeta Insajderi e ka kontaktuar avokatin e hoxhës, Asdren Bytyqin për të kuptuar se çka presin pas padisë së ushtruar, ditë më parë.
Bytyqi i tha Insajderit, se kjo e akuzë e Pllanës është e rëndë dhe pa kurrfarë fakti dhe se nuk ka sesi të dokumente për shkak se nuk ekziston.
Ai përmendi edhe faktin se si hoxha ka qenë subjekt i një hetimit të kësaj natyre, e i cili u mbyll brenda pak kohë për shkak se sipas tij s’kishte bazë.
“Ne presim që kurdo që gjykata e vendos në trajtim këtë lëndë, qoftë pas 4-5 vjete apo 6 vjete presim që ta fitojmë rastin për arsye se baza juridike është ligji për shpifje dhe fyerje, i cili përcakton që këtë rast shpifja është çdo deklaratë i pa vërtetë, i deklarum që e ka ditur ose është dashur që ta di që është i pavërtetë edhe i cili e dëmton integritetin dhe dinjitetin e personit për të cilin e ka thënë këtë”.
“Këtë rast barra e provës në procedurë civile i takon të paditurit Z.Nustret Pllana i cili duhet me dokumentu me prova materiale se cilat ligjërata konkrete, cilat shkrime, botime, cilat libra, cilat diskutime në debate të caktume apo çfarëdo lloj e dhëne tjetër që z.Krasniqi i ka nxit të rinjtë të shkojnë në Siri, sepse kjo nuk është një akuzë e lehtë edhe i njëjti pa dyshim që e ka të pamundur me dokumentu, aq më tepër për faktin se z.Krasniqi ka qenë subjekt i hetimit penal i cili ka përfundu brenda pak muajve me aktvendim për pushim të hetimeve, pikërisht për dyshimin e nxitjes së të rinjve për pjesëmarrje në lufta të huaja”, tha ai për Insajderin.
Gjatë bisedës ai bëri me dije se do të kërkojnë dëmshpërblim, si palë e dëmtuar.
“Ne në proces do ta precizojmë dhe do ta kërkojmë një shumë monetare, konkrete për kompensimin e dëmit material që është shkaktuar me shpifje ndaj Shefqet Krasniqit”, deklaroi avokati.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë tentative nga pala tjetër për një sqarim të mundshëm, avokati tha se në një debat televiziv palët ishin përplasur, pikërisht për shkak të akuzave të Pllanës në përgjithësi për Islamin.
“Kam qenë edhe në një debat televiziv me z.Pllana i cili e ka shfaq edhe I njëjti ka shpreh edhe një lloj frustrimi edhe më të madh karshi jo DR. Shefqet Krasniqit por karshi Islamit në përgjithësi”, tha ai për Insajderin.
Çka thuhet në padinë e Krasniqit ndaj Pllanës?
Gazeta Insajderi ju sjell detaje të padisë. Avokati i Krasniqit shihet se paraqitur dëshmitë në të cilat thonë se janë bazuar, duke vazhduar me padi. Përmendet deklaratën e Pllanës se Hoxha Shefqet Krasniqi po i nxitë të rinjtë të nisen drejt Sirisë për të luftuar.
“Në këtë emision kanë qenë te ftuar edhe panelistë të tjerë, ku në bisedë e sipër i padituri Nysret Pllana, në minutën 30.30, thotë se “niveli i vetëdijes kombëtare duhet të ngritët me çdo kusht sepse i kemi punët shumë keq, a e shifni se çfarë është bërë armiku me projektet e tyre famëzeza Ruso-Serbe qe 25 vite investon miliona e miliarda me e shkatërru identitetin kombëtar shqiptarë, përmes ekstremist taliban, a e shef? Kush dha përgjegjësi për vrasjen e 300-400 te djemve tanë në Siri, të një luftë absolutisht të pakuptimte për shqiptarët, askush nuk dha përgjegjësi, me ato ligjëratat famëkeqe të Shefqet Krasniqit, tu i qu djemtë tu i vra atje, e duke ju ardhur gratë e tyre pastaj me ka 4-5 fëmijë, 5-6 fëmijë, që nië Zot e din me kon i kanë, dmth tash shihni se çfarë imazhi, po trishtohet Amerika dhe Evropa me neve, si është e mundur”, thuhet në padi.
Avokati ka potencuar se shpifja në emër të lirisë së shprehjes që cenon rëndë dinjitetin moral dhe veprimtarinë intelektuale të personit tjetër, nuk përbën liri të shprehjes, ngase kufiri i lirisë së shprehjes dhe shpifjes qëndron në dëmtimin e reputacionit të personit tjetër.
“Në këtë rast, reputacioni i të paditurit është atakuar rëndë, pasi gë akuza apo shpifja përmban terme dhe pohime të rënda, si “, me ato ligjëratat famëkeqe të Shefqet Krasniqit, tu i qu djemtë tu i vra atje, e duke ju ardhur gratë e tyre pastaj me ka 4-5 fëmijë, 5-6 fëmijë, që një Zot e din me kon i kanë..”, theksohet mes tjerash.
Sipas palës mbrojtëse, të gjitha këto akuza shpifëse implikojnë komponentë të ndjeshëm të dinjitetit moral të individit.
“Akuza se ligjëratat e imamit Shefqet Krasniqi i kane dërguar djemtë shqiptare të Kosovës për të luftuar ne Siri është akuzë e rëndë, e pabazë dhe me qëllim të denigrimit te figurës se profesor Shefqet Krasniqit“.
Potencohet se deklarimet e Krasniqit janë të gjitha publike.
“Profesor Krasniqi të gjitha ligjëratat të cilat i ka mbajtur rregullisht ne Xhaminë e Madhe Prishtinë, në xhami të tjera, në simpoziume, konferenca brenda dhe jashtë vendit si dhe pranë televizioneve dhe radiove lokale dhe nacionale, si dhe shkrimet dhe librat e tij i ka publike ende. Ne asnjë nga këto ligjërata, shkrime e botime nuk mund të haset në asnjë citat të vetëm që në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthorte i nxit të rinjtë e vendit tonë që ti bashkohen luftës ne Siri”, vijon padia.
Për rastin, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe moderatorin, Nustret Pllana por i njëjti nuk ka mundur të prononcohet.
Padia e plotë: