
Ftesën e kryeministrit Albin Kurti, Ramush Haradinaj po e sheh ndryshe. Ai thotë se Kurti po “kërkon shpëtimtarët e tij” për të quar vendin në zgjedhje, shkraun Insajderi.
“Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”, shkruan Haradinaj pas takimit që zhvilloi Kurti me kreun e PDK’së Memli Krasniqin.
Në parim, Haradinaj thotë se AAK “do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit”.
Reagimi i tij i plotë:
Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë medyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij.
Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!