Arlend Gjoni, biznesmen nga Shqipëria, u arrestua dy ditë më parë nën dyshimin se ka kanosur pronarin e Avicenës, Driton Shukin. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Gjoni kishte një mosmarrëveshje paraprake me Shukin lidhur me një vajzë në Shkup.
Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se përmes rrjetit social ‘WhatsApp’ biznesmeni nga Shqipëria e kishte kërcënuar atë nga Kosova, duke iu drejtuar me fjalët “atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit”.
“Me daten 30.09.2023, ne ore te pacaktuar, i pandehuri, me qellim te frikesimit dhe ankthit, seriozisht e kanos me fjale personin tjeter këtu të dëmtuarin Driton Shuki, se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte me të dëmtuarin lidhur me një vajzë nga Shkupi, që i pandehuri ishte në lidhje dashurie me të, ditën kritike përmes rrjetit social WhatsApp, e kanos të dëmtuarin duke ju drejtuar me fjalët “atë që ja kam bërë djalit të tezes tende … (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Pas deklaratës që ka dhënë në Polici, sipas dosjes së Prokurorisë, biznesmeni nga Kosova pasi që është kanosur ka thënë se ka informacione se i pandehuri po kërkon njerëz me pagesë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut për ta ekzekutuar atë.
“Nga deklarata e të dëmtuarit e dhënë në cilësi të dëshmitarit në Polici më datën 15.11.2023 i cili në deklaratën e tij ka dekalruar se është kanosur nga i pandehuri dhe njëherë i ka preznatuar provat siç janë transkriptimi i bisedave duke shtuar se pas pranimit të kërcënimit nga i pandehuri i njëjti është ndjerë i kërcënuar nga i pandehuri duke deklaruar se ka informata të besueshme se i pandehuri është duke kërkuar njerëz me pagesë të kryer vrasjen e atij dhe ata në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Kosovë”, vijon dosja.
Në ora 13:00 pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të shqyrtohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit nga ana e Prokurorisë.
Gazeta Insajderi raportoi mbrëmë ekskluzivisht për këtë rast.
Kush është Arlend Gjoni, i arrestuari për kanosje?
Në emër të Gjonit figurojnë dy firma në Shqipëri: iFuel dhe SHOPEL.
Biznesi ‘iFuel’ aktivitet biznesor ka tregtimin me pakicë të karburanteve dhe transportit të tij. Po ashtu, në bazë të përshkrimit në platformën ‘OpenCorporates’ thuhet se firma në pronësi të Arlend Gjonit bën edhe eksportimin jashtë vendit të produkteve të ndryshme industriale.
“Tregtim me pakice karburanteve dhe transporti i tij. Tregtimi me pakice i naftes, benzines, gazit, dhe nenproduktet e tyre, perfshire ato bio, si dhe lende djegese, duke perfshire nenproduktet e tyre, me perjashtim te nenprodukteve qe destinohen per furnizimin e mjeteve te fluturimit ajror; Tregtimi me pakice i gazit te lengshem te naftes, kategoria e pare, perfshire edhe mbushjen e bombolave me kete nenprodukt. Tregtim me pakice te lubrifikanteve, vajrave, graso, e gaz te gjitha llojeve dhe kategorive. Kontraktimi me persona fizike dhe/ose juridike vendas dhe/ose te huaj per gjetjen e tregjeve te shitjes per aktivitetin e shoqerise. Import -Eksport i pergjithshem i produkteve te ndryshme industriale. Cdo aktivitet tjeter te lejuar nga legjislacioni”, thuhet tek përshkrimi i objektit të veprimtarisë.
Kompania që figuron të jetë e hapur nga 2018-a, ka regjistruar qarkullim vjetor më 2020-ën gati dy milionë euro dhe më 2019-ën 1,3 milionë euro.
Bashkëpronar i kësaj kompanie figuron djali i Tomë Doshit, James Doshi. Sipas mediave në Shqipëri, ai ka blerë 49 për qind të aksioneve të kompanisë së biznesmenit shqiptar të arrestuar dje. Tomë Doshi është në listën e zezë amerikane, i cili dyshohet për pastrim parash, korrupsion dhe skema mashtruese.
Në anën tjetër, biznesi SHOPEL i Gjonit thuhet se ofron shërbime të konsulencës dhe asistencës ligjore. Ajo figuron të jetë hapur gati në fund të 2022-ës.
“Ofrimi i sherbimeve te konsulences dhe te Asistences ligjore, kontraktuale, ekonomike, administrative, financiare, biznesi, menaxheriale, dhe te drejtimit per sipermarrjet dhe shoqerite tregtare, per profesionistet, entet private dhe publike, entet lokale dhe qendrore. Due diligence, studime dhe vleresime gjitheperfshirese per sipermarrjet dhe shoqerite tregtare per te vleresuar potencialin e tyre tregtar. Konsulenca qe lidhen me projekte investimi; aktivitetet e menaxhimit, planifikimit, organizimit, zhvillimit dhe ristrukturimit te ndermarrjes. Aktivitete per kerkim dhe studim te tregut- marketing strategjik, aktivitetet e asistences dhe konsulences ne fushen e kerkimit te financimit”, thuhet në objektin e veprimtarisë së kompanisë.
Çka tha mbrojtja e të pandehurit?
Ahmet Tahiri, avokat i Arlend Gjonit, biznesmenit nga Shqipëria, ka thënë se biznesmeni kosovar Driton Shuki e ka inskenuar rastin për kanosje, për të cilën Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht më herët.
Tahiri në një prononcim për Insajderin ka thënë se kjo po bëhet me qëllim nga ana e Shukit, i cili ka në pronësi biznesin AvicenaKs, që ta ndajë klientin e tij nga e dashura.
“Ky është një inskenim nga ana e të “dëmtuarit” që ka për qëllim që ta ndajë nga e dashura për faktin se ky denoncim është bërë pas rreth dy muaj pasi që është bere telefonata dhe të njëjtit janë takuar në muajin dhjetor ku kanë pasur një takim miqësor”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I njëjti ka thënë se e konteston kompetencen territoriale, meqë ngjarja ka ndodhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.org/