Në adresimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë. Osmani theksoi se aleancat janë thelbësore për mbrojtjen e vendit dhe se çdo veprim që rrezikon këto raporte, si “luajtja bixhoz” me to, dëmton direkt sigurinë e Kosovës.
Kryeministri Kurti i është përgjigjur kritikave të presidentes, duke deklaruar se nuk e di nëse kritikat ishin për të, pasi nuk ishte përmendur emri i tij konkretisht.
Ai tha se asnjëherë nuk ka luajtur bixhoz dhe se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e interesave të Kosovës.
“Unë mbroj 100% interesat e Republikës së Kosovës dhe gjatë këtij mandati jam koordinuar me presidenten e Republikës për hapat që kemi ndërmarrë. Gjithçka ka shkuar në mënyrë të bashkërenduar,” tha Kurti në RTK.
Ai shtoi se ka pasur koordinim edhe për politikën e jashtme mes tij, Osmanit, kryeparlamentarit Konjufca dhe ministres Gërvalla.
Insajderi